Shasivari: Zbatimi i reformave të merret seriozisht

19:34 | 30 Qershor 2018
Arbresh.info

Ekspertët vlerësojnë se periudha kohore prej një viti deri kur duhet realizuar reformat në sistemin gjyqësor, administratën publike dhe shërbimet sigurisë është e mjaftueshme, por për zbatimin e tyre duhet vullnet i sinqertë i protagonistëve të përfshirë në proces.

Sipas profesorit Jeton Shasivari, BE-ja e ka bërë të qartë qëndrimin e saj se pa reforma nuk ka anëtarësim dhe tashmë mbetet punë e brendshme e Qeverisë që përmes procesit inkluziv të përmbush kushtet për fillimin e negociatave.

Mendoj se tajmingu i përcaktuar për reformat në gjyqësorë dhe sferat tjera në sistemin juridik dhe administratën publike do të varet nga vullneti politik i protagonistëve kryesor në skenën politike. Bëhet fjalë për reforma të cilat janë në interes të qytetarëve dhe të shtetit kur dihet se nga rezultati i këtyre reformave varet edhe procesi i integrimit të Maqedonisë në BE. është me rëndësi që të ketë vullnet të sinqertë politik për realizimin e reformave. Nëse arrihet vullneti, tajmingu do të jetë i mjaftueshëm dhe procesi do përfundoje me sukses – deklaroi profesori universitar Jeton Shasivari.

Shasivari vlerëson se dinamika e ndryshimeve kushtetuese konform marrëveshjes mes Maqedonisë dhe Greqisë varet nga rezultati i referendumit.

Nëse shumica e qytetarëve do të pranojnë këtë kompromis ndërkombëtarë me Greqinë, atëherë edhe parlamenti dhe deputetët do të jenë të detyruar që të realizojnë ndryshimet kushtetuese në përputhje këtij kompromisi edhe atë brenda dinamikës së paraparë në marrëveshjen me Greqinë. Për shkak se referendumi i suksesshëm i obligon jo vetëm organet e pushtetit qendror por edhe subjektet politike që t’i realizojnë ndryshimet kushtetuese – theksoi Jeton Shasivari.

Sipas profesorit Shasivari, pyetja e referendumit do të ketë rëndësi të veçantë dhe duhet të jetë konkrete, e qartë dhe e një kuptimtë. Sipas tij, në referendum do të ndikojnë edhe modeli i fushatës dhe data e mbajtjes. Marrëveshja mes Maqedonisë dhe Greqisë synon një serë ndryshime kushtetuese si ndryshimin e preambulës, emrin gjithkund ku përdoret Maqedonia, distancim nga irredentizmi dhe pretendimet territoriale të Maqedonisë ndaj Greqisë. /Alsat-M/

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme