Kryeministrat e Serbisë dhe Maqedonisë së Veriut përuruan të dielën te pikëkalimi kufitar i Preshevës sistemin e përbashkët të integruar elektronik për pagesën rrugore në kuadër të nismës “Ballkani i Hapur”.
Projekti pritet të lehtësojë qarkullimin e makinave dhe udhëtarëve në mes dy shteteve.
Kjo mundëson që me një etiketë të njohur si TAG të bëhet pagesa elektronike në pikat rrugore duke shkurtuar kohën e pritjeve të makinave.
Kjo aktualisht vlen për makinat e udhëtarëve, teksa kamionët duhet të presin deri të premten (28 korrik) për të kaluar me këtë sistem.
Kësisoj, qytetarët e dy vendeve fqinje nuk do të kenë nevojë të ndalen dhe të humbin kohë për të blerë kartela apo për të bërë pagesën për shfrytëzimin e rrugëve, por do të mund të kalojnë me një “tag” të vetëm në rrugët e Serbisë dhe Maqedonisë së Veriut, duke u regjistruar paraprakisht në portalin e internetit për këtë shërbim.
Kryeministrja serbe Ana Bërnabiç theksoi shtimin e bashkëpunimit ekonomik dhe tregtar në kuadër të nismës “Ballkani i Hapur”, ndërsa bëri të ditur se në vitin 2022 Serbia dhe Maqedonia e Veriut kanë realizuar 1.48 miliardë euro shkëmbime tregtare; prej të cilave Serbia rreth 1 miliardë, ndërsa fqinji më i vogël pak mbi 500 milionë euro.
Bërnabiç tha se besonte që Shqipëria nuk do të tërhiqet nga kjo nismë, të cilën ajo e quajti të guximshme dhe të suksesshme.
“Mendoj se pa marrë parasysh deklaratave… nuk besoj se Kryeministri (Edi) Rama është kundër nismës “Ballkani i Hapur” dhe mendoj se për këtë ka biseduar në konferencën e fundit për media me Presidentin e Republikës së Serbisë, Aleksandar Vuçiç. Pra, besoj se e ardhmja (e Ballkanit të Hapur) është e ndritur dhe e sigurt”.
Ajo tha se pret që ngadalë të gjithë nga Ballkani Perëndimor të përfshihen në nismën e “Ballkanit të Hapur”, ndërsa për këtë, sipas saj nevojiten sa më shumë projekte të këtilla “dhe të tregojmë përfitime konkrete të kësaj nisme si për ekonominë edhe për qytetarët”.
Kryeministri maqedonas, Dimitar Kovaçevski tha se numri i turistëve për dy vitet e fundit në Maqedoninë e Veriut është rritur për 500 përqind për dallim nga periudha para Ballkanit të Hapur.
“Kjo është dëshmi më e mirë se “Ballkani i Hapur” është një nismë e cila jep rezultate, funksionon dhe njerëzit e duan. Nëse shikojmë sondazhet, kjo është nisma e vetme rajonale që ka mbështetjen e mbi 80% të popullatës në vendet të cilat janë pjesë e nismës. Kjo, për shkak se nisma jep rezultate. Vetëm për tre muaj, inxhenierët serbë dhe maqedonas arritën të bëjnë zgjidhjen për pagesën e njësuar elektronike të rrugëve”, u shpreh zoti Kovaevski.
Serbia dhe Maqedonia e Veriut kanë bërë edhe zgjerimin e korsive në vendkalimin kufitar të Preshevës, përkatësisht të Tabanocës.
Megjithatë, në këtë sezonë vere kur fluksi i udhëtarëve, sidomos i mërgimtarëve që kthehen për pushime në vendlindje, shtohet së tepërmi dhe shpesh pritjet për të hyrë nga Presheva në Maqedoninë e Veriut zgjasin mesatarisht nga 45 minuta./voa/