Aktivisti dhe gazetari bjellorus, Andrey Hnyot (i njohur edhe si Andrew Gnyot), është liruar nga arresti shtëpiak në Serbi dhe është lejuar që të largohet për në një shtet të paspecifikuar evropian, thanë avokatët e tij për Radion Evropa e Lirë më 31 tetor.
“Sot, pas një beteje njëvjeçare – shtatë muaj e gjashtë ditë në burg dhe pesë muaj nën arrest shtëpiak – gazetari bjellorus dhe aktivisti politik, Andrey Hnyot u evakuua nga Serbia për në Bashkimin Evropian”, tha Maryya Kolesava-Hudzilina.
Avokati i Hnyotit në Beograd, Filip Sofijaniq, konfirmoi për REL-in se Gjykata e Lartë në Beograd hoqi masën ndaj klientit të tij më 31 tetor, pasi skadoi afati ligjor prej një viti.
“Shembull. ata mundën që të vendosnin një masë tjetër, duke i kërkuar atij që të raportojë në polici, por nuk vepruan kështu”, tha Sofijaniq.
Hnyot tha se “jam jashtëzakonisht mirënjohës” ndaj avokatëve të tij dhe ekipit të tij ligjor si dhe ndaj politikanes opozitare bjelloruse, Svyatlana Tsikhanouskaya, dhe ekipit të saj ndërkombëtar.
Ai po ashtu falënderoi politikanin opozitar bjellorus në mërgim, Paval Latushka, për ndihmën që ka dhënë në monitorimin dhe bërjes publike të rastit ndaj tij. Ai po ashtu shprehu mirënjohje për organizatat e shoqërisë civile dhe të drejtave të njeriut, mediat, gazetarët, miqtë, familjarët, kolegët nga industria e filmit “dhe mijëra e mijëra njerëz që luftuan për jetën time”.
“Rasti im është sikurse një film Hollywood-i”, tha ai për Radion Evropa e Lirë. “Kam shumë gjëra për të treguar. Vetëm më duhet pak kohë që të mësohem me lirinë dhe sigurinë që më kanë munguar për kaq shumë kohë. Në ditët në vijim do t’iu ftoj të gjithëve në një konferencë për media. Rroftë Bjellorusia”.
Lirmi i Hnyotit i jep fund betejës së tij që nisi me arrestimin e tij në aeroportin e Beogradit në tetorin e vitit 2023, pasi ndaj tij Bjellorusia kishte lëshuar një fletarrestim përmes INTERPOL-it. Fletarrestimi e akuzonte Hnyotin për evazion fiskal, akuzë që ai e ka mohuar. Ai u dërgua nga një burg i Beogradit në arrest shtëpiak në muajin qershor.
Që nga muaji i kaluar, kur Gjykata e Apelit në Beograd rrëzoi vendimin për ekstradimin e tij në Bjellorusi, ai kishte qenë duke pritur vendimin përfundimtar të Serbisë lidhur me ekstradimin e tij.
Muajin e kaluar, Parlamenti Evropian miratoi një rezolutë për të burgosurit politikë në Bjellorusi dhe i bëri thirrje Serbisë që të mos e ekstradonte Hnyotin, i cili kishte shprehur frikën se do të torturohej në burgjet bjelloruse nëse do të kthehej në vendlindje.
Në atë kohë, Hnyot deklaroi se akuzat ndaj tij ishin pjesë e “shtypjes së tmerrshme” të regjimit të Bjellorusisë “kundër disidentëve politikë, gazetarëve dhe aktivistëve”.
Ai është një nga qindra mijëra qytetarë bjellorusë që morën pjesë në protestat masive më 2020, që u organizuan për të sfiduar fitoren e pretenduar në zgjedhjet presidenciale nga Alyaksandr Lukashenka, që i dhanë atij mandatin e gjashtë radhazi.
Në burgjet bjelloruse janë më shumë se 1.500 të burgosur politikë. Në mesin e tyre ka gazetarë, aktivistë të të drejtave të njeriut dhe politikanë.
Shtetet perëndimore nuk i njohin rezultatet e zgjedhjeve presidenciale të vitit 2020 dhe BE-ja ka vendosur sanksione ndaj Minskut për shkak të shtypjes së pjesëmarrësve në këto protesta.
Abdixhiku thotë se 40 mijë mërgimtarë e mbështesin LDK-në: S...
Sara në darkën e të nominuarve: Driloni është personi më i b...
Sulm me thikë në Mbretërinë e Bashkuar, dy të vdekur e dy të...
Syzet inteligjente Ray-Ban bëhen me “ekrane televizive”
Si të përdorni teknologjinë për të përmirësuar shëndetin?
Cilat aplikacione u harxhojnë më së shumti baterinë e telefo...