Serbët dhe shqiptarët janë popuj të cilët me vite jetojnë njëri pranë tjetrit, që gjatë rrjedhave të historisë kanë qenë të përzier, e që sot kanë një qëllim të përbashkët që është hyrja në Bashkimin Evropian (BE), është konstatimi në ditën e dytë të konferencës: Serbia dhe Shqipëria – të ndërvarura në Zhvillim dhe Stabilizim”, që po mbahet në Beograd, raporton Anadolu.
Kryetarja e Forumit për Marrëdhënie Ndërkombëtare që vepron në kuadër të Lëvizjes Evropiane, Jelica Miniç, në fjalimin e saj tha se Serbia dhe Shqipëria nuk kanë çështje të hapura dypalëshe, por në të njëjtën kohë nuk kanë qasje të njëjtë për zhvillimet në rajon, e cila megjithatë nuk pengon bashkëpunimin ekonomik.
“Kemi qëllimin e njëjtë – integrimin në BE. Tani kur dyert e BE-së janë të hapura për Ballkanin Perëndimor ky bashkëpunim duhet intensifikuar”, tha Miniç për të shtuar se problemi i përbashkët i të dyja shteteve është largimi i të rinjve jashtë shtetit.
Drejtori i Përgjithshëm i Lëvizjes Evropiane në Shqipëri, Gledis Gjipali, nga ana e tij tha se për sa i përket bashkëpunimit, institucionet e shtetit do të duhet të marrin shembull te organizatat e shoqërisë civile, ndërkohë që për komunitetin e biznesit tha se është aktiv dhe se ka gjetur mënyrat për të bashkëpunuar.
Duke folur për procesin e Berlinit, Gjipali tha se procesi paraqet një hapësirë për bashkëpunim dhe se bashkëpunimi dhe marrëdhëniet e fqinjësisë së mirë janë shumë të rëndësishme kur bëhet fjalë për pranimin e Ballkanit Perëndimor në Bashkimin Evropian.
Ish ambasadori i Serbisë, Milan Simurdiç, vlerësoi se marrëdhëniet mes dy vendeve rëndohen nga çështjet e pazgjidhura, për të shtuar se nga këto marrëdhënie nuk mund të izolohet çështja e Kosovës. Sipas tij, marrëdhëniet zhvillohen pa ndonjë përparim të dukshëm.
Në adresimin e tij në konferencë, Simurdiç tha se administratat e të dyja vendeve sillen në mënyrë inerte sepse në ueb faqet e ministrive të Jashtme nuk ka informacione për palën tjetër, ndërkohë që Parlamenti i Serbisë nuk ka një grup miqësie me Shqipërinë, i cili si i tillë do të kontribuonte në përmirësimin e marrëdhënieve.
Ai ka folur edhe për aspektin ekonomik, ku tha se Serbia dhe Shqipëria shënojnë rritje të vazhdueshme të shkëmbimit tregtar, që ngjallë dilemën nëse vallë Berogradi do të marrë rrugën e ekonomizimit të marrëdhënieve me Tiranën, që do të hapte rrugë për shumë bashkëpunime.
Autostrada Nish-Durrës, tha ai, nxorri në sipërfaqe ndasitë në shoqërinë serbe për pikëpamjet e marrëdhënieve me Shqipërinë, dhe se kjo çështje shpesh herë shihet përmes “dioptrisë kosovare”.
Bashkëpunëtori shkencor në Institutin për Filozofi dhe Teori Sociale, Aleksandar Pavloviç tha se marrëdhëniet historike midis Serbisë dhe Shqipërisë ishin miqësore dhe jo armiqësore, dhe se gjatë historisë, familjet aristokratike e të dy popujve kanë pasur martesa të përziera mes vete duke krijuar kështu aleanca, që ka bërë që në regjistrat e shekullit të 19-të, shqiptarët të përshkruhen në kontekst pozitiv, të guximshëm dhe të ngjashëm me malazezët, dhe se komunistët nga Shqipëria dhe Serbia, deri në përcaktimin për Stalinin, ishin në marrëdhënie vëllazërore.
Ai tha se në mediat e Serbisë, deri në vitin 2014 Shqipëria është përmendur neutralisht dhe se ka qenë një temë margjinale, ndërsa pas incidentit me dronin në ndeshjen futbollistike në të cilin ishte ngjitur një flamur i “Shqipërisë së madhe”, ka filluar një raportim negativ, por që i njëjti u qetësua, për të rifilluar këtë vit.
Abdixhiku premton: Me ne, Kosova do të anëtarësohet në NATO ...
Milani duhet të sakrifikojë Fonseca-n apo Leao-n?
OKB: Situata humanitare në Liban është më e keqe sesa në luf...
Komuna synon largimin nga rruga të rreth 1500 qenve endacakë...
Haxhiu: Shah e ping-pong me Deharin, VV-ja do të duhej të di...
Në prag të zgjedhjeve presidenciale, Pacolli udhëton drejt A...