Sekuestrohet marihuanë në vlere prej 150 mije eurove, arrestohen 5 persona, në mesin e tyre edhe ish-policë

11:21 | 23 Korrik 2021
arbresh.info

Janë kapur 3 çanta me 54 paketime marihuanë në vlerë prej 150.000 eurove njoftojnë nga Ministria e Punëve të Brendshme e Maqedonisë së Veriut. Janë arrestuar 5 persona, e në mesin tyre janë edhe 2 ish punonjës të Ministrisë së Punëve të Brendshme. Hetimi ka filluar që nga muaji i kaluar nga ana e Departamentit të policisë për kriminalistikë dhe Departamentit për luftë kundër krimit të organizuar, drejt disa personave të përfshirë në organizimin e transportit ndërkombëtar të marihuanës nga Republika e Shqipërisë nëpërmjet Republikës së Maqedonisë së Veriut drejt Republikës së Greqisë. Organizator i grupës kriminale i përfshirë në transportin ndërkombëtar të marihuanës është M.A (50) nga Gjevgjelia.

“Gjatë hetimit janë marrë informacione dhe të dhëna se këta persona në periudhën nga 19.07.2021 do të organizojnë transport të një sasie më të madhe të marihuanës nga Shqipëria deri në Strugë e pastaj deri në Gjevgjeli, me qëllim që marihuana të arrijë në Greqi. Më 22.07.2021 I.K(37) nga Gjevgjelia, Z.B (52) nga fshati Grçishte, Vallandovë dhe D.S(27) nga fshati Marvince me automjet “Opel vektra” me targa të Gjevgjelisë janë drejtuar drejt fshatit Jankovec-Resnjë, ku kanë realizuar takim me D.D(38) nga fshati Livadhi, Strugë i cili në vendin e ngjarjes ka arritur me “Opel vektra” me targa të Resnjës, me të cilin D.D e ka sjell marihaunën. Automjeti është marrë nga D.S dhe është drejtuar nga fshati Jankovec në drejtim të Gradsko, ndërsa I.K dhe Z.B me automjetin me targa të Gjevggjelisë kanë lëvizur para tij në rolin e pastruesit të rrugës”, thonë nga MPB, transmeton TV21.

Pas marrjes së masave dhe aktiviteteve më 22.07.2021, rreth orës 16.35 të dy automjetet janë ndalur nga ana e policisë dhe njësive speciale të policisë “Tigrat” me ç’rast në bagazhin e veturës janë gjetur 3 çanta me 54 paketime marihaunë, e cila sipas llogaritjeve, në treg ka vlerën e 150.000 eurove. Të gjithë personat janë arrestuar nga ana e policisë. Në koordinim me Sektorët për Punë të Brendshme Strumicë dhe Ohër janë kryer edhe disa bastisje në zonat e Gjevgjelisë, Vallandovës dhe Strugës ku nga liria janë privuar M.A dhe D.D, personat në fjalë kanë qenë ish të punësuar në Ministrinë e Punëve të Brendshme, informojnë nga MPB.

Gjatë bastisjes janë gjetur një numër i madh i celularëve me SIM kartela, ndërsa tek I.K është gjetur dhe konfiskuar dy pushkë gjuetie, një pistoletë dhe municion të gjitha pa leje.

Për të gjitha aktivitetet është i informuar edhe Prokuroria, ndërsa pas kompletimit të plotë të dokumentacionit kundër personave në fjalë do të dorëzohet padi penale për veprën penale sipas Kodit penal, neni 215 paragrafi 3.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme