Google ADS

Sekretari i Përgjithshëm i Qeverisë së Maqedonisë së Veriut është i përfshirë në një skandal për tenderë

23:48 | 4 Korrik 2019
Arbresh.info

Në media të Maqedonisë u publikuar audio incizim, në të cilën dëgjohet se si Sekretari i përgjithshëm i Qeverisë së Maqedonisë së Veriut, Dragi Rashkovski dyshohet se gjoja realizon ndikime të paligjshme dhe manipulim me tender për M-NAV (navigacioni i Maqedonisë) me një kompani italiane, shkruan Meta.mk dhe Portalb.mk.

Në bisedë me përfaqësuesit e kompanisë që duhet të instalojë një sistem të ri radarëve në aeroportin e Maqedonisë, ka indikacione të disa shkelje të ligjit, shpërthime raciste, por edhe diskriminimit ndaj Italisë dhe romëve nga Rashkovski.

Pas e publikimit të skandalit, mediat dhe partia më e madhe opozitare në vend, VMRO-DPMNE kërkuan dorëheqje nga Sekretari i përgjithshëm i Qeverisë së Maqedonisë së Veriut. VMRO-DPMNE madje ka parashtruar kallëzim për Rashkovskin në Prokurorinë Publike, duke kërkuar që atij t’i caktohet paraburgim.

Por në vend që të japë dorëheqjen, Rashkovski ka paralajmëruar padi ndaj shumë njerëzve për shpifje, madje edhe ndaj mediave.

Marrëveshja për të zgjedhur kompaninë italiane “Leonardo”, siç është mbrojtur Rashkovski, është nënshkruar nga menaxhmenti i emëruar nga Qeveria e mëparshme, përkatësisht nga Zhivko Popovski, babai i ish-ministrit të jashtëm Nikolla Popovski. Ai gjithashtu mohoi se kishte rënë dakord për një komision.

Rashkovski tha se i vinte keq dhe se “kërkon ndjesë deri në qiell” nga të gjithë ata që ndjehen të ofenduar.

Shoqata e gazetarëve të Maqedonisë dhe Agjencia për shërbime mediatike audio dhe audiovizuele kanë reaguar menjëherë për siç kanë thënë “qëndrimin e pashembullt dhe arrogant të shoqëruar me kërcënime nga Sekretari i përgjithshëm për padi ndaj gazetarëve për shpifje”

“Zyrtarët publikë duhet ta pranojnë se ata do të jenë objekt i mbikëqyrjes dhe kritikave publike, veçanërisht nëpërmjet mediave në lidhje me mënyrën se si ata e kanë kryer ose i kryejnë funksionet e tyre deri në masën që është e nevojshme, për të siguruar transparencë dhe kryerje të funksionit me përgjegjësi”, thonë ata nga SHGM-ja dhe ASHMAAV-ja.

Por Sekretari i përgjithshëm mori mbështetje nga kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev, i cili tha se nuk do të kërkojë dorëheqjen e Rashkovskit. Sipas tij, së pari duhet të merren parasysh pasojat e gjithë rastit dhe pastaj duhet të merret një vendim. Zaev shtoi se Rashkovski i ka përmbushur të gjitha detyrat e tij dhe publikisht ka kërkuar falje për rastin.

Komisioni Anti-korrupsion pas informacionit të pranuar do të hapë procedurë për këtë çështje, përkatësisht do të kontrollojë nëse Rashkovski me të vërtetë kishte qenë i ngarkuar nga qeveria për të biseduar për tenderin dhe a është e ligjshme që ai të negociojë me përfaqësuesit e kompanisë italiane, por edhe për akuzat nga opozita se ai ka negociuar ryshfet.

Ndërsa nga Prokuroria Publike ende s’ka asnjë reagim.

Ky nuk është skandali i vetëm në të cilin është i përfshirën Sekretari i përgjithshëm i Qeverisë së Maqedonisë së Veriut. Ai llogaritet se njeri i besueshëm i kryeministrit Zoran Zaev për të cilin mediat kanë shkruar se ka punësuar familjarë të tij, ndërsa gazetarët shpesh e kanë akuzuar se nuk është transparent dhe se nga mediat ka fshehur dokumentet me interes publik.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme