Presidenti francez Emanuel Macron, gjatë paraqitjes së tij online në Samitin e Sofjes, ka adresuar tri kërkesa për vendet e Ballkanit perendimor: forcimin e bashkëpunimit ndërmjet tyre, përshpejtimi i reformave strukturore me një theks në reformat themelore të tilla si sundimi i ligjit dhe qeverisja ekonomike, si dhe nevojën për mbështetjen e BE-së nga vendet e Ballkanit Perendimor në luftën kundër terrorizmit, njofton Portalb.mk.
“Megjithëse të gjithë jemi të përqendruar fort në situatën me KOVID-19, është thelbësore që të mirëmbahet dhe forcohet ky dialog shumë i rëndësishëm me Ballkanin Perëndimor: ai i përket gjeografikisht, historikisht dhe kulturalisht Evropës. Më lejoni ta bëj të qartë edhe një herë se Franca mbështet perspektivën evropiane të Ballkanit Perëndimor – dhe unë do të doja të them disa fjalë për mënyrën se si ne gjithmonë e mbështesim atë konkretisht”, u shpreh Macron.
Që nga fillimi i vitit, sipas presidentit francez, ka pasur disa zhvillime pozitive në lidhje me Ballkanin Perëndimor.
“Së pari, vendet anëtare të BE-së morën dy vendime të rëndësishme në fund të marsit, në mes të valës së parë të pandemisë: Ramë dakord për një metodologji të re që e bën procesin e zgjerimit më të besueshëm dhe më efikas dhe vendosëm të hapim negociatat e pranimit me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut. Bëhet fjalë për një perspektivë të hapur dhe ju e dini se sa e rreptë është Franca për këtë çështje, që njëkohësisht nënkupton një marrëdhënie të ndershme midis njëri-tjetrit dhe popujve”, deklaroi Macron.
Si zhvillim të dytë pozitiv Macron e ka vlerësuar dakordimin e Serbisë dhe Kosovës, të ciët në korrik ranë dakord të rifillojnë dialogun që ishte pezulluar për 20 muaj. Mosmarrëveshja midis Serbisë dhe Kosovës, sipas Macronit, është një çështje e sigurisë evropiane, që do të thotë se është thelbësore që Bashkimi Evropian të drejtojë përpjekjet e ndërmjetësimit midis të dy palëve në mënyrë që të gjendet një zgjidhje përfundimtare e kësaj mosmarrëveshjeje.
Sipas tij Franca ka kontribuar në këto faza pozitive dhe do të mbetet e përkushtuar për të mbështetur Ballkanin Perëndimor, si në drejtim të përpjekjeve të reformës ashtu edhe në drejtim të zgjidhjes së mosmarrëveshjeve politike.
“Nga njëra anë, përmes Zyrës Rajonale për Bashkëpunim Rinor, modeluar nga Zyra Rinore franko-gjermane dhe në partneritet me Agjencinë Franceze të Zhvillimit, e cila u krijua në Paris gjatë Samitit të Procesit të Berlinit të vitit 2016. Që atëherë, ai është bërë një shembull i suksesshëm i mbështetjes së aktiviteteve për të rinjtë në Ballkanin Perëndimor. Nga ana tjetër, përmes iniciativës franko-gjermane për luftimin e tregtisë së paligjshme të armëve, të cilën ne e filluam në vitin 2017 dhe e cila ka treguar rezultate falë angazhimit të gjashtë vendeve të Ballkanit Perëndimor dhe mbështetjes së vazhdueshme dhe të vendosur të partnerëve. Kjo iniciativë është një shembull i mirë se si rajoni mund të punojë më ngushtë me Bashkimin Evropian në luftën kundër një kërcënimi të madh për sigurinë tonë”, tha Macron.
Bashkimi Evropian, tha kreu francez, ka bërë një përpjekje thelbësore për të mbështetur rimëkëmbjen e vendeve të Ballkanit të goditura rëndë nga pandemia: në pranverë, Bashkimi Evropian dha 3.3 miliardë € për të përmbushur nevojat më urgjente dhe për të luftuar pasojat afatgjata të krizës KOVID. Disa javë më parë, Komisioni Evropian paraqiti një plan ekonomik dhe investimi prej 9 miliardë eurosh, i cili është një kontribut i rëndësishëm në zhvillimin e rajonit.
Macron deklaroi se presin që vendet e Ballkanit Perëndimor të dëshmojnë gjithashtu angazhimin e tyre në tre fusha:
E para, e një rëndësie thelbësore për vendet e Ballkanit Perëndimor është të forcojnë bashkëpunimin e tyre. Kjo është arsyeja, tha si pse e mbështet iniciativën për krijimin e një tregu të përbashkët rajonal, bazuar në normat dhe parimet e Bashkimit Evropian, përfshirë katër liritë e Bashkimit Evropian.
Së dyti, ai dhe liderët tjerë, presin që Ballkani Perëndimor, vendet që e përbëjnë këtë rajon, të përshpejtojnë reformat strukturore me një theks në reformat themelore të tilla si sundimi i ligjit dhe qeverisja ekonomike. Është e nevojshme të bëhet përparim në këto fusha me qëllim që rajoni të afrohet me Bashkimin Evropian.
Së treti, e kemi të nevojshme, u shpreh Maceon, mbështetjen e vendeve të Ballkanit Perëndimor që të na ndihmojnë në luftimin më mirë të terrorizmit. “Ndërsa rreziku rritet, si në Bashkimin Evropian ashtu edhe në rajonin e Ballkanit, bashkëpunimi i zgjeruar dhe mesazhet e qarta dërguar shoqërive tona do të jenë me interes të përbashkët për të gjithë ne”.
Ai përshëndeti miratimin e Agjendës së Gjelbër për Ballkanin Perëndimor, duke ndjekur modelin e Paktit të Gjelbër të Bashkimit Evropian. Sipas tij ajo është gjithashtu një sinjal që rajoni po merret me çështjen dhe po kontribuon në përpjekjet prioritare të Bashkimit Evropian për të luftuar ndryshimin e klimës dhe për të mbrojtur mjedisin. Programi i Gjelbër për Ballkanin Perëndimor do të ndihmojë në çlirimin e potencialit ekonomik të ekonomisë së gjelbër në rajon dhe në të njëjtën kohë mundëson zbatimin më të mirë të Marrëveshjes së Klimës së Parisit. Ai tha se janë të gatshëm të ndihmojmë Ballkanin Perëndimornë luftën kundër ndryshimit të klimës.
Liderët kryesorë të Bashkimit Evropian dje në Sofje të Bullgarisë, zhvilluan së bashku me krerët e shteteve të rajonit të Ballkanit, samitin në të cilin këtë vit nikoqire ishin Republika e Bullgarisë dhe Republika e Maqedonisë së Veriut. Tema kryesore e Samitit të Sofjes, i cili është vazhdimësi e Procesit të Berlinit, ishte Tregu i Përbashkët Rajonal – Katalizator drejt Tregut të Bashkimit Evropian.
Deri në një orë pritje te Dheu i Bardhë për të hyrë në Kosov...
Panik në Portin e Durrësit, përplasen rëndë dy tragete
Dënohet me burg ish-kryetari i Bashkisë së Lezhës, Fran Frro...
Rron Broja, “Ylli i Javës” në Superligën e Kosovës
Moscertifikimi i Listës Serbe, Vuçiç: Kurti po përpiqet t’i ...
ASHAK zgjedh anëtarët e rinj