Mesazhi i përbashkët i takimit të udhëheqësve rajonalë në kuadër të procesit të njohur si Bërdo-Brioni është se “Bashkimi Evropian nuk është i plotë pa Ballkanin Perëndimor”, thuhet në një njoftim të presidencës malazeze, e cila ishte organizatore takimit të së martës në qytetin bregdetar të Tivatit në Malin e Zi.
Pas seancës plenare, e cila ishte e mbyllur për publikun, presidenti malazez Jakov Milatoviç, i cili ishte nikoqiri i takimit, tha se qëndrueshmëria afatgjatë e rajonit nënkupton edhe marrëdhënie të mira fqinjësore.
“Me rendin e tronditur botëror dhe paqëndrueshmërinë globale në rritje, udhëheqësit e Ballkanit Perëndimor janë të vetëdijshëm për momentin politik dhe dritaren e re në BE, kur bëhet fjalë për zgjerimin. Ne jemi të gatshëm ta përdorim edhe më fuqishëm këtë mundësi”, tha Presidenti Milatoviç.
Ai u zotua se Mali i Zi “është dhe do të jetë gjithmonë një vend i përkushtuar ndaj marrëdhënieve të mira fqinjësore dhe qëndrueshmërisë rajonale dhe pret që përparimi i Malit të Zi drejt BE-së të jetë një nxitje edhe për vendet e tjera”.
Presidenti kroat Zoran Milanoviç, tha se vlera e procesit Bërdo-Brioni qëndron në faktin se “vendet, disa prej të cilave nuk e kanë njohur njëri-tjetrin, komunikojnë në këto takime”.
Presidenti Milanoviç theksoi se detyrë e Kroacisë dhe Sllovenisë, të cilat janë vende anëtare të Bashkimit Evropian, është të inkurajojnë vendet e Ballkanit Perëndimor që të mos lëkunden në rrugën e anëtarësimit në bllok.
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, tha se “Kosova vazhdon të jetë e përkushtuar për bashkëpunim rajonal, të bazuar në fqinjësi të mirë, gjithëpërfshirje dhe qëllimin e përbashkët për integrim në institucionet euroatlantike”.
Presidentja e Sllovenisë, Natasha Pirc Musar, tha se “Mali i Zi ka dëshmuar përparimin më të madh dhe ka perspektivat më të mira për anëtarësimin e shpejtë në BE”. Ajo njoftoi gjithashtu se Sllovenia propozon që vendimet për mbylljen e kapitujve të merren me shumicë të cilësuar dhe jo njëzëri.
Kryetari i Presidencës së Bosnjë-Hercegovinës, Denis Beqiroviç, theksoi se vendet e rajonit kanë dy rrugë: “Njëra është të trajtojmë njëri-tjetrin siç bëjnë vendet e BE-së dhe tjetra është të pranojmë qëndrimin e Rusisë ndaj fqinjëve të saj, gjë që e çon atë në fatkeqësi dhe tragjedi. Unë mendoj se rruga jonë evropiane nuk ka alternativë”.
Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, nuk mori pjesë në pjesën plenare të takimit, por më pas iu bashkua pjesëmarrësve. Në një konferencë për shtypin ai u përqendrua në marrëdhëniet serbo-malazeze, duke ritheksuar akuzat për njohjen e Kosovës nga Mali i Zi. Ai tha po ashtu se çdo ditë ndaj tij dhe Serbisë bëhen akuza për ndërhyrje në zgjedhjet në Malin e Zi.
“Ne kurrë nuk do ta dëmtojmë Malin e Zi, por nuk do të lejojmë askënd të dominojë Serbinë. Serbia nuk ka bërë asgjë kundër Malit të Zi, asnjë veprim strategjik e as taktik”, tha Presidenti Vuçiç.
Procesi Bërdo-Brioni është një nismë slloveno-kroate e hedhur në vitin 2010, me synimin për të ndihmuar vendet e Ballkanit Perëndimor në rrugën e tyre drejt Bashkimit Evropian./voa/
Finlanda raporton dëmtime në kabllon e energjisë nënujore me...
Shoferi humb kontrollin, shtatë të lënduar në New York
Të shtëna me armë zjarri në Durrës
Parashikimi i motit në Shqipëri
Giro d’Italia në Shqipëri/ Rama: Lajmi është publikuar në 70...
Të paktën dhjetë të vrarë nga sulmet izraelite në Gazë