Partia Demokratike Shqiptare e shpalli kandidaturën për kryetar të Komunës së Tetovës. Kandidati i PDSH-së për të parin e Tetovës, Sadi Bexheti ka treguar prioritetet e tij të cilat synon t’i realizojë si kryetar i Tetovës.
“Përveç se të tregoj problemet, unë jam këtu që t’ju jap shpresë. Unë kam qenë kryetar i këtij qyteti, kam jetuar, jetoj dhe do të vazhdoj të jetoj në këtë qytet. E njoh mirë këtë vend, çdo mahallë të saj, çdo rrugicë dhe çdo fshat”, deklaroi Bexheti.
Megjithatë ka shtuar, se me kandidaturën e tij nuk ka ndërmend t’i bëjë dëm askujt. Ndërkaq shtoi, se kandidatura e tij “garanton luftë të pakompromis kundër korrupsionit, zhvatjes, dhe krimit të organizuar”.
“S’kam dalë kundër askujt, dhe nuk kam ndërmend t’i bëj dëm askujt. Kam dalë për qytetarët e Tetovës, sepse Tetova meriton më mirë, tetovarët meritojnë më shumë dhe se e mira do të triumfojë mbi të keqen”, shtoi më tej Bexheti.
Si probleme elementare ka numëruar: Mungesën e ujit dhe uzurpimin e hapësirave publike.
“Nuk po mundemi të mendojmë për gjëra të tjera, sepse na mungojnë shumë sende. Së pari gjëja elementare – uji i pijshëm, që vazhdon të jetë ende problem në Tetovë. Nuk po mundemi t’i besojmë institucionit të komunës, sepse janë uzurpuar pronat publike dhe janë zhvilluar afera korruptive në lejet e ndërtimit”, deklaroi në paraqitjen e tij para mediave, Bexheti.
Ka përmendur edhe kaosin në komunikacion dhe ndotjen e ajrit.
“Do të nisemi me problemet si nga kaosi në komunikacion, rrugët e shkatërruara që e dëmtojnë qytetin dhe xhepat tanë, pastërtia dhe ajri i ndotur na lë me pasoja shëndetësore dhe arsimi i rënduar”, shtoi më tej Bexheti.