Borxhi publik në Maqedoninë e Veriut ka arritur në shifrat më të larta të shënuara ndonjëherë, përkatësisht në 7.4 miliardë euro bazuar, thuhet në të dhënat për muajin qershor. Kjo do të thotë se borxhi arrin në 64.4 për qind të Bruto Prodhimit Vendor dhe nëse vazhdon me këtë ritëm, ekziston rreziku i destabilizimit financiar, thotë Nikolla Popovski, profesor i ekonomisë dhe ish-ministër i Financave.
Sipas të dhënave zyrtare, brenda një viti e gjysmë borxhi është rritur për 1.5 miliard euro.
Kjo shumë i tejkalon edhe pritjet e qeverisë, e cila bazuar në strategjinë fiskale për menaxhimin e borxhit publik, parashikonte që vitin 2021 Maqedonia e Veriut ta mbyllte me një borxh publik prej 63.9 për qind të Bruto Prodhimit Vendor. Qeveria synon që deri në vitin 2026 këtë borxh ta stabilizojë përmes zvogëlimit të administratës publike dhe rritjes më të madhe ekonomike.
Borxhi publik përbëhet nga borxhet që ka shteti ndaj bankave, institucioneve tjera financiare, borxhet e ndërmarrjeve publike, komunave, kompanive në pronësi shtetërore, Bankës Popullore e subjekteve tjera.
Profesori Nikolla Popovskit thotë se me një politikë të tillë të borxhit publik nuk do të ketë rritje dhe zhvillim ekonomik.
“Jo vetëm ne, por edhe shtete tjera kanë probleme me shlyerjen e borxhit publik, veçanërisht nëse përdoret në mënyrë joproduktive. Me borxhin publik duhet të financohen ato sektorë të ekonomisë që normalisht do të sillnin të ardhura, të cilat tani po i humbin për shkak të pandemisë, gjë që nuk po ndodh. Për momentin, një politikë e tillë duket e pranueshme për politikanët dhe për të gjithë sepse në një farë mënyre tejkalon çështjet e krizës. Por, kriza nuk do të evitohet në qoftë se nuk kursejmë dhe nëse nuk e përdorim këtë borxh në ata sektorë që sjellin të ardhura. Madje, gjendja do të përkeqësohet edhe më shumë”, thotë Popovski.
Shpëtimin e ekonomisë, qeveria e sheh në investimet kapitale. Ajo tani planifikon të shpenzojë gjysmë miliard euro për këtë qëllim. Por, historia me investimet kapitale përsëritet vazhdimisht. Parashikimet janë të larta dhe realizimi shumë i ulët.
Branimir Jovanoviq, ekspert nga Instituti i Vjenës për Politikë Ekonomike tha për Radion Evropa e Lirë se është e pamundur praktikisht të realizohen investimet e planifikuara kapitale. Ai tha se Qeveria maqedonase nuk i ka dhënë mbështetje të mjaftueshme ekonomisë, as me pakot financiare, as në formën e investimeve kapitale, investimeve publike, siç kanë bërë shumë shtete të Evropës Perëndimore dhe disa nga vendet e Evropës Lindore.
“Nëse kjo qeveri dëshiron të ketë një rezultat të mirë ekonomik këtë vit, ajo duhet të shpenzojë, të investojë në atë rritje, pa mbështetje nga qeveria, nuk do të ketë rritje ekonomike”, tha Jovanoviq.
Opozita maqedonase, shifrat e borxhit publik i sheh si të “frikshme” për qytetarët.
“Çdo qytetar i Maqedonisë ka një borxh prej 1.250 euro që kur kjo qeveri po drejton vendin. Bruto Prodhimi Vendor as që ka lëvizur, ndodhet në gjendjen e vitit 2017. Merr borxh, i shpenzon dhe rezultate në ekonomi nuk ka, andaj edhe nuk ka sipërmarrës, afaristë apo qytetarë që nuk ankohen nga politikat katastrofale të kësaj qeverie”, ka deklaruar kryetari i partisë opozitare, OBRM-PDUKM, Hristijan Mickoski.
Lidhja Social Demokrate (LSDM) e kryeministrit Zoran Zaev, thotë se rezultatet janë evidentet ndërsa pretendimet e opozitës i quan “dëshpëruese”.
“Ne vazhdojmë me përkushtim të madh të investojmë në infrastrukturë dhe përmirësimin e jetës së qytetarëve duke nisur nga niveli lokal. Ne po punojmë për një jetë më të mirë, për punësime të reja dhe rritje ekonomike. Rezultatet janë evidente”, ka deklaruar Martin Kostovski, deputet i LSDM-së.
Sipas kritereve të Bankës Botërore, vendet me borxh publik deri në 60 për qind të Bruto Prodhimit Vendor janë shtete me borxhe mesatare. Kur tejkalohet ai prag, atëherë bie në kategorinë e shtetit me borxh të lartë, siç është rasti me Maqedoninë e Veriut./REL/
Hovenier uron Kosovën për fitoren ndaj Lituanisë
Banori i ri mollë sherri mes Xhenetës dhe Gjestit, këngëtari...
Senatori amerikan letër Blinkenit: ShBA t’i mbajë sytë nga K...
Raportohet se Putin ka ftuar Vuçiqin për vizitë në Moskë
Katër ushqime mund të ulin kolesterolin e lartë, pohon një n...
Kosova e mbyll me fitore ndaj Lituanisë kampanjën në Ligën e...