Rreth 200 mijë qytetarë në Maqedoni vuajnë nga sëmundjet e veshkave

19:00 | 11 Mars 2021
A. B.

Rreth 200 mijë qytetarë në vend kanë ndonjë formë të sëmundjes së veshkave, ndërsa në dializë shkojnë 1600 pacientë në 23 qendrat nëpër shtet.

Dializa është metoda më e zakonshme në vend për trajtimin e sëmundjes renale në fazën përfundimtare kur të dy veshkat nuk mund të funksionojnë më. Pacientët kalojnë 4 deri në 5 orë për të pastruar gjakun e tyre nga të gjitha toksinat dhe uji i tepërt në trup.

Çdo të enjte të dytë të marsit, Dita botërore e veshkave shënohet në më shumë se 200 vende të botës.

Këtë vit, për shkak të pandemisë, Shoqata e qytetarëve të cilët vuajnë nga veshkat “Nefron” i anuloi të gjitha ngjarjet tradicionale dhe përqendrohet në edukimin dhe mbështetjen e fushatës së këtij viti “Jeto në mënyrë cilësore me sëmundje të veshkave”.

Sëmundja e veshkave është sëmundje jongjitëse që prek aktualisht mbi 850 milion njerëz në të gjithë botën. Një në dhjetë të rritur ka ndonjë formë të sëmundjes kronike të veshkave. Mbi 2 milion njerëz në të gjithë botën trajtohen me dializë ose transplantim. Globalisht, SKV (Sëmundja Kronike e Veshkave) po rritet çdo vit dhe parashikohet të jetë shkaku i 5-të kryesor i vdekjeve në vit në 2040./Telegrafi/

 

Të ngjashme