Google ADS

Rrëfehet babai i Almirit: Kërkimfalja nuk na kthen djalin!

23:49 | 7 Shtator 2017
Arbresh.info

“Boban Iliçi na shau në bazë etnike dhe pastaj e thirri vëllaun e tij për të na rrahur dhe goditur me makinë. Na tha do e shihni ju, dhe pastaj vetëm kur e pashë veten të rrëzuar përtokë nga shufra e hekurit dhe familjen e shtrirë nga goditja e makinës”, rrëfente Sedat Aliu, babai i Almirit të ndjerë 4 vjeçar.

Duke bërë një rikonstruim të ngjarjeve në ditën e kobshme, babai i Almirit shpjegoi se gjithçka ka filluar nga një mosmarrëveshje banale për radhë në spital pasi Sedat Aliu ia kishte lëshuar radhën një gruaje shqiptare në moshë.

Ky gjest e kishte irrituar Iliçin, i cili kishte qenë në atë moment në radhë dhe kishte filluar sharjen e Sedat Aliut në bazë etnike dhe me kërcënime.

Por, familja Aliu nuk e kishte marrë punën aq serioze dhe ishte drejtuar kah makina e parkuar disa metra më larg spitalit ku e kishin pasur djalin, ndërkohë një makinë me shpejtësi të madhe i kishte goditur që të tre. Por, Sedati pohon se nuk ka kaluar me kaq.

Atë e kishte sulmuar vëllai i Boban Iliçit, Bojan Iliç me një shufër hekuri, dhe pasi thuajse e kishte alivanosur, ishte vërsulur drejt nipit dhe vëllait të tij dhe kalimtarëve shqiptar përreth. Aliu siguron se në asnjë moment as nuk ka provokuar e as nuk e ka sharë Bobanin dhe dyshon se e gjithë ngjarja është si rezultat i urrejtjes etnike që e kanë vëllezërit Iliq ndaj shqiptarëve.

SEDAT ALIU, BABAI I ALMIRIT

“Ta rikthesh ditën nuk ishte mirë, por ta tregosh të vërtetën është edhe më mirë. Vetëm se kemi qenë shqiptar e ka bë, të kishte qenë ndonjë maqedonas nuk do ta kishte bërë…Presim të dalë mirë. Të bëhet vlerësim i mirë. Por dyshojmë. Vetë prokurorja shihet se çfarë pyetje i bën atij e çfarë neve…”

Avokatët e familjes Aliu presin një vendim të drejtë gjyqësore që për ta nënkupton dënimin maksimal të vrasësit që morri një jetë fëmijë dhe vuri në rrezik dhjetëra të tjera.

ASMIR ALISPAHIÇ, AVOKAT

“Sharjet që i janë drejtuar duket se janë rezultat i një urrejtje ndaj të gjithë shqiptarëve…Shpresoj kjo mos të ndodhë më asnjëherë dhe kjo monstër të dënohet me dënimin e merituar në mënyrë që më asnjëherë askujt të mos i kujtohet të bëjë një gjë të tillë, aq më pak nga urrejtja ndaj një etniteti tjetër”.

IBRAHIM BAJRAMI, AVOKAT

“Duam që gjykatës t’i ofrohen prova që do të orientojnë për të vërtetuar gjendjen faktive ashtu siç ka qenë, e jo siç prentendonin në fillim ta paraqesin me ekspertët dhe nga qasja e prokurorisë që ishte e dyshimtë. Shpresoj se personi që ka kryer veprën do marrë veprën e merituar por gjithnjë duke u bazuar në prova”.

Në momentin kur do të prezantohen provat shtesë, avokatët e familjes së fëmijës së ndjerë do t’i propozojnë edhe tre dëshmitarë që e kanë parë ngjarjen. Në një prej seancave të kaluara, Iliq i kërkoi falje familjes Aliu dhe tha se pendohet, por familja nuk e pranoi kërkim faljen, duke thënë se ai duhet ta merr leksionin nga kjo ndodhi.

SEDAT ALIU, BABAI I ALMIRIT

“Po t’ia shkeli nesër edhe unë fëmijën dhe po i kërkoj falje. Ajo nuk falet. Po ia falën, nesër dal unë, e tjetri e tjetri e shkelim ndonj; fëmijë dhe shkojmë kërkojmë falje dhe lirohemi. Ai duhet ta marrë dënimin e merituar që t’u jepet mësim të tjerëve, mos të ndodhin më kësi raste”.

Për vepër të ngjashme, për vrasje të një fëmije dhe rrezikim të jetës së disa personave të tjerë, Kodi Penal parashikon burgim prej 10 vjet deri në burg të përjetshëm, varësisht nga rrethanat nëse vrasja ka qenë me paramendim dhe vetëdije të plotë ose jo. /SHENJA

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme