Rinis nga fillimi gjyqi për “pronësinë” e Lëvizjes BESA

19:25 | 1 Shkurt 2019
Arbresh.info

Procesi gjyqësor për atë se kujt i takon Lëvizja Besa do të nisë nga fillimi. Gjykata Apelit ka pranuar ankesën e krahut të Afrim Gashi duke hedhur poshtë kështu vendimin e shkallës së parë në Gjykatën Shkupi II.

Në dokumentin të cilin e ka siguruar televizioni Alsat rezulton se ankesat e Gashit për emrin e partisë dhe adresën në të cilën aktualisht ndodhet Besa e Kasamit pranohen.

“Ndërpritet vendimi i Gjykatës Themelore Shkupi II nga data 26 tetor 2018. Lënda kthehet në shkallën e parë për procedim dhe vendim” – theksuan nga Gjykata Apelit

Autenticitetin e dokumentit dhe vendimit e ka konfirmuar edhe vetë gjykatësi i lëndës Amir Abdullai. Në shpjegimin e Apelit thuhet se vendimi i cili njeh Lëvizjen Besa në Regjistrin Qendror dhe me adresë përballë Komunës së Çairit hidhet poshtë si i pabazë. Vendimi i marrë më 10 janar 2019 duhet nënshkruar nga trupi gjykues dhe të shpallet në sistemin AKMIS. Jo zyrtarisht, Alsat nga burime brenda Gjykatës Apelit mëson se kjo do të ndodhë në javën e ardhshme, kur edhe palët pritat ta pranojnë vendimin. Kontesti gjyqësor mes Afrim Gashit dhe Bilall Kasamit filloi pasi palët u përçanë në grupe si pasojë e mosmarrëveshjeve për kryesimin e partisë. Krahu i Gashit për shkak të rezultatit zgjedhor kërkoi përgjegjësinë e Kasamit dhe dorëheqjen e tij. Pas marrjes së zyrave të partisë, Besa mbajti dy kongrese. E para zgjodhi Gashin për kryetar ndërsa e dyta rizgjodhi Kasamin si të parin e partisë. Përçarja fillimisht reflektoi tek grupi parlamentare, ndërsa më pas krahu i Gashit me tre deputet u bë pjesë e shumicës parlamentare./AlsatM/

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme