Google ADS

Ribalanci i Buxhetit të Maqedonisë prej sot në mbledhje plenare

10:45 | 29 Tetor 2020
Arbresh.info

Plotësim-propozimi për ndryshim dhe plotësim të Buxhetit të Republikës së Maqedonisë së Veriut për vitin 2020, i cili përmban amendamente nga debati në Komision, prej sot është në mbledhje plenare. Sipas rendit të ditës së propozuar, është pika e parë e mbledhjes së sotme të 20-t të caktuar.

Të ardhurat e përgjithshme me ndryshimet dhe plotësimet e Buxhetit të Republikës së Maqedonisë së Veriut për vitin 2020 janë planifikuar në nivel prej 196,3 miliardë denarëve dhe ato janë planifikuar në pothuajse nivel identik të planit, duke pasur parasysh se me ribalancin paraprak ishin projektuar në nivel real, përkatësisht më të ulëta për 11,5 për qind në krahasim me projeksionet fillestare të Buxhetit. Shpenzimet e përgjithshme, ndërkaq, janë planifikuar në nivel prej 252,8 miliardë denarëve apo janë 4,1 për qind, përkatësisht për rreth 10 miliardë denarë më të larta në krahasim me planin.

Në bazë të të ardhurave dhe shpenzimeve të këtilla të planifikuara, deficiti është pozicionuar në shumë prej 56,5 miliardë denarë, përkatësisht 8,49 për qind të BPV-së.

Duke i pasur parasysh rrethanat e krijuara, sipas propozuesit, janë kryer ndryshime lidhur me projeksionet fillestare të anës shpenzuese të Buxhetit të RMV-së, para së gjithash, për zbatimin e aktiviteteve të parapara me pakon e katërt të masave. Në këto korniza janë siguruar mjete shtesë në sektorin shëndetësor për aktivitete të cilat drejtpërdrejtë kontribuojnë në luftën kundër krizës shëndetësore, ndërsa kanë të bëjnë për furnizim të medikamenteve, imunizim të popullatës dhe mjete të tjera të domosdoshme dhe mbështetje të të punësuarve të cilët drejtpërdrejtë janë të kyçur në luftën kundër pandemisë.

Transferet e tilla janë planifikuar në nivel prej 177,3 miliardë denarëve apo për rreth 11,2 miliardë denarë më të larta në raport me planin për vitin 2020. Kanë të bëjnë, para së gjithash, me masat e ndërmarra për sigurim të mjeteve për implementim të pakos së katërt të masave ekonomike të miratuara nga ana e Qeverisë për përballje me krizën e shkaktuar nga pandemia e koronavirusit, e të cilat do të kenë impakt të drejtpërdrejtë ndaj ekonomisë reale dhe ndihmë të drejtpërdrejtë ndaj konsumit privat.

Në pajtim me rregulloren e Kuvendit, debati rreth ribalancit në mbledhje plenare zgjatë më së shumti pesë ditë pune dhe pritet ai të miratohet deri javën tjetër, pas çka do të fillojë edhe realizimi i pakos së katërt të masave ekonomike.

Në rend dite të kësaj mbledhje janë edhe Propozimi për zgjedhje të gjykatësit të Gjykatës kushtetuese të RMV-së, propozim ligji për ratifikim të Protokollit plotësues për privilegje dhe imunitete të Organizatës për bashkëpunimin ekonomik të rajonit të Detit të Zi, të Protokollit për statusin e Komandave ushtarake ndërkombëtare të vendosura në pajtim me Marrëveshjen veriatlantike, dhe të Marrëveshjes mes palëve të Marrëveshjes veriatlantike për statusin e forcave të tyre.

Në mbledhje duhet të diskutohet edhe për propozim ligjet për ndryshim të Ligjit për marrëdhëniet e punës dhe të Ligjit për sigurimin pensional invalidor, Propozim ligji për zgjidhje të kontestit mes Qeverisë së RMV-së dhe Makpetrol SHA Shkup me anë të marrëveshjes, në procedurë të shlurtuar, Propozim ligji për detyrim të RMV-së me kredi tek Banka ndërkombëtare për ripërtëritje dhe zhvillim – Banka botërore sipas Marrëveshjes për kredi për financim të Projektit për efikasitet energjetik në sektorin publik, të gjithë me procedurë të shkurtuar, si dhe Propozim ligji për ndryshim të Ligjit për sigurimin privat në lexim të parë.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme