Asambleja Kombëtare e Republikës Sërpska ka miratuar ndryshime në një ligj që thotë se vendimet e përfaqësuesit të lartë në Bosnje e Hercegovinë më nuk do të njihen.
Gjatë një seance të jashtëzakonshme më 21 qershor, deputetët miratuan ndryshimet në Aktin për publikimin e ligjeve dhe rregullatorëve të tjerë. Miratimi i këtyre ndryshimeve u trajtua si çështje me urgjencë. Pesëdhjetë e katër nga 61 deputetët e pranishëm votuan për ndryshimet, ndërkaq shtatë abstenuan.
Sipas ligjit aktual, aktet ligjore në Republikën Sërpska hyjnë në fuqi kur publikohen në gazetën zyrtare, e cila publikon legjislacionin që miratohet nga autoritetet më të larta, përfshirë edhe të përfaqësuesit të lartë ndërkombëtar.
Ndryshimet e miratuara e kanë hequr përfaqësuesin e lartë nga lista e autoriteteve që miratojnë legjislacione të cilat më pas publikohen në gazetën zyrtare.
Ky vendim po shihet si pjesë e përpjekjeve të disa zyrtarëve për shkëputjen e Republikës Sërpska.
Po ashtu, ky vendim është në kundërshtim me Marrëveshjen e Dejtonit të vitit 1995 që i dha fund luftës së Bosnjës. Sipas kësaj marrëveshjeje është instaluar një i dërguar ndërkombëtar që mbikëqyrë zbatimin e paqes.
Serbët në entitetin e Republikës Sërpska, nuk e njohin Christian Schmidt, i cili u emërua përfaqësues i lartë më 2021, pasi Këshilli i Sigurimit i Kombeve të Bashkuara nuk e ka përkrahur emërimin e tij.
Kina dhe Rusia nuk janë pajtuar me emërimin e tij, pasi ai nuk është konfirmuar nga Këshilli, por shtetet e tjera kanë thënë se kjo nuk është e nevojshme.
Përfaqësuesi i lartë ka fuqi të shkarkojë zyrtarë dhe të hartojë ligje pasi është interpretuesi i fundit i Kushtetutës edhe pse vendimet e tij mund të shqyrtohen nga Gjykata Kushtetuese e Bosnjës.
“Sot, Bosnje e Hercegovina nuk ka përfaqësues të lartë. [Schmidt] nuk është përfaqësues i lartë dhe ky është mesazhi i Republikës Sërpska”, tha në Parlament Radovan Viskoviq, kryeministër i Republikës Sërpska.
Më herët gjatë javës, Schmidt paralajmëroi se serbët do të përballeshin me pasoja – të paspecifikuara – nëse ata shkelin marrëveshjen e paqes apo refuzojnë të pranojnë vendimet e tij.
Nënshkruesit e Marrëveshjes së Dejtonit, përfshirë Republikën Sërpska “kanë për obligim të bashkëpunojnë plotësisht me përfaqësuesin e lartë”, tha zyra e Schmidt.
Vendimi i Republikës Sërpska është mbështetur nga Ambasada ruse e cila ka thënë se Schmidt nuk është përfaqësues legjitim.
Presidenti i Republikës Sërpska, Millorad Dodik, ka lidhje të ngushta me Rusinë dhe më 23 maj ai vizitoi Kremlinin dhe u takua me presidentin rus, Vladimir Putin./REL
Bora regjistron fitoren e tretë në elitë, mposhtë Prizrenin
Maresca arsyeton barazimin ndaj Evertonit
Protestë masive në Beograd kundër Vuçiqit dhe qeverisë së ti...
Salah thyen një tjetër rekord në Premier League
Aeroplani bie në qendër të qytetit Gramado në Brazil, 10 per...
Real Madridi shënon fitore të madhe ndaj Sevillës, ngritët n...