Republika e Maqedonisë së Ilindenit” është emri i pranueshëm për Qeverinë maqedonase të Zaevit dhe atë greke të Ciprasit.
Vetë kryeministri, Zoran Zaev pas takimit me liderët politik konfirmoi se ky emër i përkthyeshëm është opsioni më i mirë për zgjidhjen e kontestit shumë-vjeçar, se nuk rrezikon identitetin e popullit maqedonas, se siguron të ardhme të ndritur, Maqedoni multi-etnike dhe garancë për integrimin e vendit në NATO dhe BE.
“Republika e Maqedonisë së Ilindenit është emri rreth të cilit mund të ketë kompromis me Greqinë. Anglisht, Republic of Ilinden Macedonia. Shqip, Republika e Maqedonisë së Ilindenit është emri me të cilin e përforcojmë themelin e Republikës sonë. Ndërsa Ilindeni mbetet vazhdimësi historike e ambicieve, shtetësisë dhe krenarisë sonë. Ilindeni është e kaluara jonë e lavdishme, Ilindeni është e ardhmja jonë e ndritshme. Me këtë zgjidhje të mundshme e ruajmë dinjitetin dhe e konfirmojmë dhe përforcojmë identitetin tonë maqedonas. Ilindeni është garanci për Maqedoni multietnike. Maqedonia e Ilindenit është shteti dhe shoqëria për mirëqenien dhe zhvillimin e të cilit barabartë janë angazhuar edhe maqedonasit, edhe shqiptarët, turqit, serbët, vllehët, romët, bosnjakët dhe të gjithë të tjerët” – deklaroi kryeministri Zoran Zaev.
Kryeministri sqaroi se pala maqedonase tashmë ka pranuar kërkesat kryesore të fqiut jugor. “Republika Ilinditase e Maqedonisë” do të përdoret erga omnes, pra për përdorim ndërkombëtar ashtu si dhe për përdorim të brendshëm. Ndërsa i njëjti do të bëhet edhe pjesë e Kushtetutës, përmes amandamenteve kushtetuese. Madje do të ketë edhe referendum. Ndryshimet do të realizohen në faza.
“Për shkak të këtyre përfitimeve historike, për shkak të garancisë së këtillë për zhvillim të Maqedonisë, për shkak të garancisë për hyrje në NATO dhe BE, për shkak të garancisë për identitetin maqedonas do pranojmë përdorim të përgjithshëm të emrit Republika Maqedonia e Ilindenit si dhe për shkak të përforcimit të kohezionit ndëretnik. Zbatimi i përdorimit të emrit të ri për përdorim të brendshëm do realizohej në faza, me etapa, ashtu si do avansojmë në negociatat për anëtarësim në BE, ndërsa do të sigurohet përmes referendumit dhe amendamenteve kushtetuese” – theksoi Zaev.
Zaev kërkoi nga populli grek që ta pranojë këtë propozim, për shkak se sipas tij, i njëjti garanton se vendi nuk ka asnjë pretendim territorial ndaj Greqisë.
“Edhe njëherë konfirmoj, edhe unë edhe populli im se nuk kemi kurrfarë pretendimesh territoriale dhe i konfirmojmë mosndryshimin e kufijve dhe respektimin e trashëgimisë së popullit grek dhe Greqisë. Maqedonia është e gatshme ta konfirmojë këtë në të gjitha mënyrat e duhura” – shtoi Zaev.
Zaev tha se në rast se nuk arrihet marrëveshje përfundimtare me Greqinë për propozimin në fjalë, palët do të vazhdojnë tentimet për të gjetur gjuhën e përbashkët. Megjithatë nuk komentoi se çfarë do të ndodhë nëse nuk arrihet konsensus nacional për këtë opsion. Zaev paralajmëroi se javën e ardhshme në Nju Jork me ndërmjetësin e OKB-së, Metju Nimic do të bisedohet për kornizën kohore, respektivisht afatin e referendumit, ndryshimeve kushtetuese dhe ngjashëm./Alsat-M
Në zonën 60 km/h voziti 117 km/h, policia shqipto gjobë prej...
Hamzën në Hannover dhe Köln: Kosova është shtëpia jonë e për...
Vazhdojnë paraqitjet e mira të Zhegrovës – shpallet lojtari ...
Osmani: Kosova dhe Kanadaja do ta fillojnë Programin e Bashk...
Haradinaj: Kosova direkt në NATO, është kthesa e madhe për K...
Erdogan synon rritjen e tregtisë me Rusinë