Google ADS

Rënia e temperaturave dëmton të mbjellat e grurit

13:05 | 29 Tetor 2017
Arbresh.info

Periudha e thatësisë dhe temperaturat e larta ditore kanë ndikuar keq në të mbjellat e vjeshtës. Ato kanë bërë që në një pjesë të vendit të paraqitet dëmtuesi “imago zabrus”, insekt ky që shkatërron bimët e reja të grurit. Profesori universitar Dane Boshev thotë se ky dëmtues tashmë gjendet në shumë rajone sidomos nëpër ara ku për disa vite me radhë është kultivuar gruri vjeshtor.

“Në shumë sipërfaqe ku vite me radhë është kultivuar kulturë vjeshtore e grurit, tashmë ka prani të madhe të “imago zabrus”, që do të thotë se duhet pasur kujdes rreth aktivitetit të lavrave që mund ta dëmtojnë grurin e ri. Këshilloj që fermerët pasi të mbjellin grurin dhe pasi ai të mbijë t’i mbikëqyrin të mbjellat dhe nëse vërejnë shtim të këtij dëmtuesi, menjëherë të spërkaten me preparate përkatëse- deklaroi profesor universitar Dane Boshev.”

Edhe pse kishte të reshura të shiut, ato sipas agro-meteorologëve nuk janë të mjaftueshme meqë lagështia e tokës është vetëm sipërfaqësore, ndërsa shtresat më të thella të tokës janë të thata. Ekspertët këshillojnë që bujqit të shpejtojnë me të mbjellat vjeshtore meqë po afrohet fundi i afatit optimal për të mbjellat, ndërsa temperaturat ditore janë ideale për mbjelljen e kulturave të drithit. Sipas meteorologëve, shi do të ketë, por ai nuk do të jetë me sasi të mjaftueshme, si dhe sipas sinoptikëve, bujqit nuk kanë shumë kohë për përfundimin e të mbjellave vjeshtore, meqë për disa ditë temperaturat ditore do të bien nën zero.

“Nuk presim reshje të dendura. Nga e hëna do të ndalen të reshurat. Do të kemi rritje të vranësirave dhe erëra. Por, nga e marta, do të kemi mot me diell por të ftohtë edhe gjatë ditës. Temperaturat e mëngjesit do të jenë shumë të ulëta. Në shumë vende do të jenë nën zero. Intervali do të jetë prej minus 6 deri në 2 gradë. Në pjesën më të madhe të vendit, temperaturat do të jenë nën zero, ndërsa gjatë ditës deri në 10 gradë- tha Kostadinka Arsovska, meteorologe.”

Ndryshe, pikërisht për shkak të kushteve të këqija të motit dhe thatësisë, rendimenti i sivjetshëm i grurit ishte i keq. Ai ishte i dobët dhe i pakët. Ekspertët rekomandojnë mbjelljen e llojeve të certifikuara të grurit, si dhe zbatimin e masave agro-teknike për të pasur rendiment cilësor dhe të bollshëm.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme