Reka, Siljanovska dhe Pendarovski vazhdojnë me fushatën presidenciale

10:17 | 9 Prill 2019
Arbresh.info

Fushata parazgjedhore për kryetar shteti ka filluar më 1 prill, ndërsa kandidatët të cilët synojnë të udhëheqin me shtetin edhe gjatë ditës së djeshme kanë vazhduar aktivitetet e tyre.

Blerim Reka, Gordana Siljanovska dhe Stevo Pendarovski dje kanë realizuar takime me qytetarët nëpër vende të ndryshme, të cilat Telegrafi Maqedoni jua sjell të përmbledhura në një vend.

Kandidati i cili ka mbështetjen e partive opozitare shqiptare, Aleanca për Shqiptarët dhe Lëvizja Besa, Blerim Reka, dje ka mbajtur takim me qytetarët e Tearcës.

“Ne i kemi hyrë së bashku këtij rrugëtimi dhe me 21 prill do të dalim fitimtarë. Vetëdija e shqiptarit të vitit 2019 është më ndryshe se ajo e disa viteve më parë. Vetëdija e shqiptarit ka avancuar dhe sot askush nuk mundet të detyrojë shqiptarin të votojë vullnetit të tij”, tha Reka.

Kandidatja e partisë opozitare maqedonase Gordana Siljanovska, dje ka mbajtur takime me qytetarët në Makedonski Brod dhe në Kërçovë ku foli për problemet demokratike të shtetit dhe për emigrimin e qytetarëve.

“Neve na duhen standarde për jetë që Maqedonia të jetë evropiane. Të jetojmë si të gjithë në motropole evropiane. Të duan evropianët të vinë këtu. T’i kthejmë fëmijët nga jashtë. Mbi 60% ikin për jetë më të mirë, s’mund ta gjejnë këtu”, tha Siljanovska Dakova.

Ndërsa kandidati i partive në pushtet Stevo Pendarovski, dje ka qenë në komunën e Gjorçe Petrovit ku foli për eurointegrimet, të ardhmen e të rinjve dhe konceptin për një shoqëri për të gjithë.

“Para dy viteve erdh një gjeneratë e re e politikanëve, mes të cilëve mendoj se jam edhe unë, që nuk kujdeseshin për rejtingun politik por punonin për t’i hapur dyert për të rinjtë dhe kanë jetë dhe standard më të mirë. Bëmë hapa që na sollën më afër Evropës. Arritëm marrëveshje me Bullgarinë dhe Greqinë, nëse vazhdojmë kështu do të marrim datë për nisjen e bisedimeve në qershor. Për dy vite është arritur sukses i madh për shkak se këto politikan japin llogari jo për partinë, por për popullin. për ne partia më e rëndësishme është Republika e Maqedonisë së veriut”, tha Pendarovski./Telegrafi/

 

Të ngjashme