“Mendoj se me garimin tim në këto zgjedhje dërgojmë një mesazh për gjithëpërfshirje, sepse atëherë do të vazhdohet me traditën gati 30 vjeçare pas pavarësimit të Maqedonisë së Veriut ku shqiptarët do të jenë vetëm votues, por asnjëherë të votuar”, tha në një intervistë për Radion Evropa e Lirë, kandidati për president në Maqedoninë e Veriut Blerim Reka.
Reka ka diskutuar rreth konceptit të platformës për krijimin e një Republike gjithëpërfshirëse, me ligjin mbi të gjithë.
Radio Evropa e Lirë: Zoti Reka, Argumenti juaj kryesor i fushatës mbetet “ta bëjmë Maqedoninë e Veriut Republikë”. Cila është esenca e Republikës përmes së cilës synoni të bindni elektoratin që t’ju votojë për president të shtetit?
Blerim Reka: Koncepti im “Republika për të gjithë”, është koncept për Republikën në të cilën do të sundojë ligji, dhe jo individi me fjalë të tjera ashtu siç është dhe slogani im, “Republika për të gjithë, me ligjin mbi të gjithë” në fakt është një koncept universal i sprovuar në demokracitë liberale, dhe ajo që i ka munguar tani e tridhjetë vite Maqedonisë së Veriut.
Ne për 30 vite kishim shtet të kapur, por tash e dy vite frikësohemi se po rrëshqasim drejt një shteti privat me përqëndrimin e gjithë fuqisë politike tek një person, që po ashtu nuk është e shëndetshme për demokracinë. Konsideroj se me konceptin “Republika për të gjithë”, qytetarët do të kenë të drejtën që të kërkojnë llogaridhënie prej atyre që janë në pushtet dhe jo siç është tash faktikisht, qytetarët u binden do si do politikave qeveritare.
Ky është i vetmi koncept i cili mendoj se mund ta përthekojë një situatë post-konfliktuoze tash e 20 vite dhe para-integruese ashtu siç pretendojmë në Bashkimin Evropian.
Blerim Reka: Pse mendoj se duhet bërë reforma të thella në një rend republikan, sepse nëse vazhdojmë me një politikë ku nuk do të ketë transparencë dhe llogaridhënie, nuk do të ketë qevrisje të mirë, qytetarët do të humbin besimin në këtë shtet do të humbin vizionin dhe në një gjendje depresioni do ta lëshojnë sa më tepër shtetin, pra me Republikën synojmë atë që unë e quaj “të parandalojmë shtetin e zbrazët’.
Radio Evropa e Lirë: Flisni për sundimin e drejtësisë, shtet ligjor, sikur tejkalohen kompetencat. Si mendoni t’i arrini këto synime?
Blerim Reka: Jo, unë do të thosha se në këtë drejtim në mënyrë strikte u përmbahem kompetencave të presidentit të shtetit. Sipas Kushtetutës, presidenti i shtetit ka tre fusha të cilat janë nën kompetencën e tij, politikën e jashtme, sigurinë që përfshin dhe aspektet e mbrojtjes dhe disa kompetenca të pjesshme në sistemin gjyqësor me emërimin e anëtarëve në këshillin gjyqësor dhe emërimin e anëtarëve përkatësisht gjykatësve në Gjykatën Kushtetuese.
Pra, në këtë shtyllën e tretë ku presidenti ka kompetenca që lidhen me sundimin e ligjit, do të jem luftëtar i denjë, luftëtar që pa kompromis do të angazhohet për sundimin e drejtësisë dhe ligjit në çdo pore të jetës në shoqëri.
Blerim Reka: Sa u përket kompetencave tjera që lidhen me politikën e jashtme, mbrojtjen dhe sigurinë, unë vetëm mund të jap kontribut, pra ta komplementojë politikën qeveritare në integrimet euroatlantike, veçanërisht tani që presim caktimin e datës për fillimin e bisedimeve me Bashkimin Evropian, si me përvojën time, si me dijen dhe në një mënyrë mund të jem ndihmesë për këtë integrim strategjik të vendit drejt BE-së dhe asesi pengesë.
Me fjalë të tjera, mendoj se një president i cili nuk i takon asnjë partie politike, një president i cili është nga komuniteti i cili nuk është shumicë, në këtë shtet mund të jetë vetëm e shëndetshme për demokracinë e Maqedonisë së Veriut sepse do të jetë një kontrollor, monitorues, por edhe një ndërhyrës në momentin që do të gabojnë politikat qeveritare.
Radio Evropa e Lirë: Megjithëse votat e shqiptarëve kanë qenë gjithmonë vendimtare për zgjedhjen e presidentit të shtetit, numrat janë të tillë që bazuar vetëm në elektoratin shqiptarë është e pamundur të zgjidheni president, duke pasur këtë parasysh këtë cili ishte qëllimi i futjes në garën zgjedhore?
Blerim Reka: Pikërisht kjo është dhe arsyeja se pse i hyra garës për president të shtetit sepse konsideroja se vetëm me dy ofertat maqedonase për president duke injoruar gati se një të tretën e elektoratit këtu në Maqedoninë e Veriut, përkatësisht elektoratin shqiptarë, nuk është fer kjo ndaj shqiptarëve, por njëherësh mendoj se me garimin tim në këto zgjedhje dërgojmë një mesazh për gjithëpërfshirje, sepse atëherë do të vazhdohet me traditën gati 30 vjeçare pas pavarësimit të Maqedonisë së Veriut ku shqiptarët do të jenë vetëm votues, por asnjëherë të votuar.
Me fjalë të tjera, desha të ndryshojë këtë realitet të shëndrimit të elektoratit shqiptarë në një makineri votuese e cila çdo herë në rrethin e dytë duhet të vendosë për një kandidat maqedonas, por asnjë herë për një shqiptar.
Blerim Reka: Nëse ne dëshirojmë t’i fillojmë negociatat anëtarësuese në Bashkimin Evropian, atëherë një nga vlerat e përbashkëta evropiane është dhe diversiteti kulturor, multietnik, barazia e të gjithëve në një shtet pa marrë parasysh përkatësinë kombëtare, atë fetare e kështu me radhë, tani është shansi që qytetarët e Republikës së Maqedonisë së Veriut të zgjedhin një president i cili është shtetas i këtij shteti megjithatë nuk i takon shumicës etnike të këtij shteti, por me një program i cili për mendimin tim është konkurrues dhe unë do të thosha unifikues për të gjithë qytetarët.
Radio Evropa e Lirë: Sfidë për këto zgjedhje mbetet arritja e cenzusit. Ju keni hedhur mjaft dilema për këtë?
Blerim Reka: Do të thotë, që në fillim, unë kam potencuar ca hendikepe të këtij procesi elektoral për zgjedhjen e presidentit të shtetit. Hendikepi i parë ka të bëjë me atë se shteti akoma nuk i ka zbatuar rekomandimet e ODIHR-së nga viti 2016, Maqedonia e Veriut akoma nuk ka përditësuar listën e zgjedhësve, në atë akoma figuron një trup elektoral prej 1.8 milion votuesish nominal, do t’i quaja, por në realitet deri në vitin 2017 janë shpërngulur rreth 250 mijë qytetarë nga shteti, ne në fakt ditën e zgjedhjeve nuk do të kemi 1 milion e 800 mijë, por do të kemi 1 milion e 550 mijë votues dhe kjo zbrazëtirë prej çerek milioni votuesish mund të jetë burim i manipulimeve me vota.
Pra, duke pasur parasysh manipulimet zgjedhore që ishin prezente gjatë zgjedhjeve të kaluara, si treni bullgar, votimi familjarë, unë i frikësohem jo vetëm arritjes së cenzusit që është vështirë të arrihet me këtë diskrapancë prej çerek-milioni i cili është inegzitent përkatësisht fantom gjatë ditës së votimit, por i frikësohem edhe praktikës së deritanishme të manipulimit me votat e qytetarëve.
Radio Evropa e Lirë: Dhe pas 21 prillit, nëse futeni në raundin e dytë, si do ta bindni elektoratin maqedonas t’ju votojë ? Dhe nëse nuk futeni si do të veproni, do mbështesni ndonjë kandidat,…?
Blerim Reka: Unë jam i bindur se do të kalojë në randin e dytë. Dhe në rrethin e dytë do të vazhdojë me fushatën presidenciale.
Unë tashmë e kam bindur elektoratin maqedonas, si me bisedat, deklaratat takimet me qytetarët të cilat i kam realizuar jo vetëm me komunitetin shqiptar, por edhe atë maqedonas, kështu që mendoj se është krijuar një atmosferë që mendoj se gradualisht ne po e thejmë atë mentalitetin mono-etnik në këtë shtet dhe gradualisht, po shoh se edhe qytetarët maqedonas po tregojnë mbështetje jo dhe aq ndaj meje si kandidat për president të shtetit, por konceptit, filozofisë sime politike dhe platformës se si unë dua ta ndërtojë këtë shtet të përbashkët.
Vajzat e shtëpisë elektrizohen nga muzika dhe bëjnë c
Kanadaja, Meksika dhe Kina i përgjigjen kërcënimeve të Trump
Konjufca fton mërgimtarët që të regjistrohen për zgjedhjet e...
Liga e Kampionëve vjen me nëntë ndeshje sot – vëmendja te de...
Vazhdon fushata globale `16 Ditët e Aktivizmit kundër dhunës...
Momenti kur Gjesti nga xhelozia i shtyn Xhenetën dhe Vullnet...