Google ADS

Regjistrimi provë i popullatës përfundon të dielën, ndërkohë ligjin e mbulon pluhuri në Parlament

14:15 | 28 Qershor 2019
Arbresh.info

Më 30 qershor, duhet të përfundojë regjistrimi provë në vend, të cilin Enti Shtetëror për Statistikë e filloi në 13 komuna më 10 qershor të këtij viti megjithëse Ligji për regjistrim të popullsisë, i cili e ka emblemën evropiane, ende nuk është miratuar në Parlament.

Arsyeja kryesore për shtyrjen e debatit parlamentar dhe miratimin e këtij ligji janë mosmarrëveshjet midis qeverisë dhe opozitës.

Në pritje të regjistrimit të popullsisë, i cili pas një ndërprerjeje prej 18 vjetësh duhet të realizohet në vitin 2020, është interesante të shihen vlerësimet e Entit Shtetëror për Statistikë që kanë të bëjnë me numrin e popullsisë dhe në përgjithësi me tendencat demografike në vend.

Sipas vlerësimeve për numrin e popullsisë (më 31.12.2018), vendi jonë ka 2.077.132 banorë, që është për 11.363 persona ose 0.6% më shumë se në vitin 2013 dhe 28.513 persona ose 1.4% më shumë në raport me 2008, njofton Portalb.mk.

“Në periudhën nga viti 2008 deri në vitin 2018, vërehet rritje e vazhdueshme e të huajve të në Republikën e Maqedonisë së Veriut. Sa i përket strukturës së moshës, popullsia e Maqedonisë gjithnjë e më shumë po plaket. Në periudhën mes vitit 2008 dhe 2018, pjesëmarrja e popullsisë së re (0-14 vjeç) është vogëlua nga 18.1 për qind në 16.4 për qind në numrin e përgjithshëm të popullsisë, ndërsa popullsia e vjetër (65 vjeç e më shumë) është rritur nga 11.5 për qind në 14.1 për qind”, ka konstatuar Enti Shtetëror për Statistikë.

Në periudhën nga viti 2008 deri në vitin 2018, numri i lindjeve të gjalla ka rënë për 7%, ndërsa shkalla e natalitetit për 0.9 ‰ (lindje të gjalla në 1.000 banorë).

“Ndryshimet në strukturën e moshës së popullsisë e kanë reflektimin e tyre mbi numrin e personave të vdekur në vend. Numri i personave të vdekur ka ndikuar në rritjen të shkallës së vdekshmërisë, e cila në vitin 2018 ishte 9.5 ‰ (vdekje për 1,000 banorë). Në periudhën nga viti 2008 deri në vitin 2018, ka rënie të numrit të martesave për 8.2 përqind dhe rritje të numrit të divorceve për 34 përqind”, thonë nga Enti për Statistika.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme