Regjistrimi i popullsisë në Maqedoninë e Veriut mund të shtyhet për 1-2 muaj!

21:52 | 13 Shkurt 2021
Arbresh.info

Për Presidentin Stevo Pendarovski nuk është problem që regjistrimi të shtyhet për një ose dy muaj nëse në mes të qytetarëve ekziston frikë nga infektimi me virusin Covid-19.

Ai nuk kërkon që numërimi i popullsisë të prolongohet për një vit, siç kërkon opozita. Në Radio Kanal 77 shefi i shtetit u ankua se nuk mund t’i mbledhë të gjitha partitë në një takim liderësh, duke i përmendur VMRO-DPMNE-në dhe LSDM-në dhe se nuk mund t’i detyrojë me forcë.

“Problemi me regjistrimin tonë është politizimi që bëhet rreth ligjit. Nuk është problem ligji. Nuk është problem të zbatohet nga 1 deri më 21 prill, por nëse problemi qëndron tek korona, Qeveria mund të mendojë në këtë drejtim”, theksoi Stevo Pendarovski – President i Maqedonisë së Veriut.

Regjistrimi është temë të cilën duhet ta mbyllim, sepse jemi një nga shtetet e rralla ku për 20 vjet nuk është organizuar një regjistrim, deklaroi para disa ditësh kryeministri Zoran Zaev. Ai shtoi se regjistrimi duhet të zbatohen nga 1 deri më 21 prilli, sepse prolongimi për një muaj, nuk do të ndryshonte asgjë.

“Gjatë verës e dimë se regjistrim nuk organizohet, në shtator e kemi fushatën, tetori është periudhë zgjedhore…”, potencoi Zoran Zaev – Kryeministër i Maqedonisë së Veriut.

BDI-ja thirret në gatishmërinë e Entit për Statistikë:

“Derisa Enti për Statistikë konsideron se mund ta zbatojnë regjistrimin në pajtueshmëri me ligjin dhe metodologjinë, konsiderojmë se nuk ka nevojë të shtyhet procesi”, deklaroi Bujar Osmani nga BDI.

Nga ana tjetër, OBRM-PDUKM-ja në periudhën që vijon do ta nisë iniciativën e saj qytetare për grumbullim të nënshkrimeve në më shumë lokacione në vend, ku do të mund të nënshkruhet çdo qytetar i cili angazhohet për regjistrim të drejtë, evropian dhe të besueshëm, dhe kundër një regjistrimi politik.

“Bëhet e qartë se Qeveria e udhëhequr nga Zaevi, në vend të një procesi statistikor, në regjistrimin sheh një operacion politik, i cili është marrëveshje koalicioni dhe jashtë standardeve të BE-së”, u shpreh Antonijo Milloshoski nga OBRM-PDUKM.

Aleanca për Shqiptarët do të kërkojë interpretim autentik të ligjit.

“Fillimisht do të kërkojmë interpretim autentik të Ligjit për Regjistrim në Kuvend, pasi Metodologjia e publikuar nuk është në përputhje me Ligjin për Regjistrim të votuar nga Parlamenti. Drejtori i Entit për Statistikë ose Qeveria vendosin për metodologjinë pa u thirrur në ligjin. Pra, kjo shumicë parlamentare, sipas të gjitha gjasave, është e interesuar që regjistrimi të dështojë, sepse edhe kur u votua ligji, nuk arriti të sigurojë shumicën e nevojshme parlamentare dhe ligji u votua me ndihmën e deputetëve tanë”, thonë nga koalicioni ASH-AAA.

Zaevi rikujton se edhe zgjedhjet parlamentare janë organizuar me sukses gjatë pandemisë. Theksoi se regjistrimi është i rëndësishëm për zbatim të politikave afatgjata ekonomike. Ai tha se nuk është e rëndësishme vetëm baza etnike, por të përcaktohet numri i saktë i qytetarëve në vend, duke shtuar se nuk duhet të përcaktohet vetëm numri i përgjithshëm, por edhe numri në çdo rajon planor, në çdo komunë dhe lagje, të kihet pasqyrë të plotë në çdo segment – në çfarë moshe është popullsia, me çfarë arsimimi, me çfarë kualifikimesh dhe në cilin vendbanim jetojnë./TV21

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme