Google ADS

Reforma zgjedhore, sfida e re për konsensus politik në Shqipëri

19:06 | 14 Tetor 2019
L G

Në Shqipëri janë mbajtur 17 zgjedhje në 29 vite dhe është ndërhyrë në legjislacionin zgjedhor 12 herë. Ky volum ndërhyrjesh sipas studiuesve, tregon se zgjedhjet ende kanë mjaft problematika dhe dukuri negative.

Një komision dypartiak në parlament vazhdon punën për reformën zgjedhore, me axhendë rekomandimet e OSBE-ODIHR-it.

Protagonistë të shumicës qeverisëse, opozitës së bashkuar, opozitës parlamentare dhe Ambasadori i OSBE-së parashtrojnë pikpamjet e tyre në intervista të posaçme për Zërin e Amerikës, që deri tani ndahen dhe bashkohen në disa çështje, por gjithsesi mbeten ende larg konsensusit.

Reforma zgjedhore në Shqipëri ka marrë vëmendje në qarqet politike dhe ato ndërkombëtare, në një kohë kur opozita e bashkuar ka djegur mandatet dhe kërkon zgjedhje të parakohshme, dhe kur kushteve të BE-së për çeljen e negociatave i shtohet edhe kjo reformë. Aktualisht një komision dypartiak vijon punën për reformën zgjedhore në parlament, mes shumicës dhe opozitës parlamentare, ndërsa opozita jashtë parlamentit ende nuk e ka zënë vendin e saj në këtë komision, dhe vizionin e shprehu në një tryezë të thirrur nga OSBE-ja për këtë qëllim.

“Dhe vizioni ynë përfshin ngritjen e një forumi të përshtashëm, në të cilin mund të diskutohen me vërtetësi dhe me sinqeritet gjithë problematika që lidhet me proçesin zgjedhor në Shqipëri. Partnerët që kemi propozuar të jenë OSBE –ODIHR, dhe përfaqësi nga SHBA, dhe BE. Kemi propozuar një përfaqësi të barabartë dhe të balancuar midis përfaqësuesve të parlamentit monokratik të vendit dhe përfaqësuesve të opozitës së bashkuar”- u shpreh Ivi Kaso, sekretar për zgjedhjet në PD.

“Nuk mund të flas në emër të partnerëve tanë të Shteteve të Bashkuara të Amerikës apo të Bashkimit Evropian, por besoj se edhe ata do të ishin të gatshëm të kontribuonin në këtë debat. Komisioni i posaçëm i ka bërë ftesë Partisë Demokratike, por nëse ata nuk duan të marrin pjesë në komision, unë do t’i nxitja të jepnin kontributin e tyre në diskutime. Nëse Partia Demokratike dëshiron ta bëjë këtë në një format tjetër dhe të pasurojë diskutimet ne do të ishim të gatshëm t’i ndihmonim. Por, sa i takon vendimmarrjes, kushtetuta e Shqipërisë e përcakton shumë qartë: duhet shumicë e cilësuar në parlament. Se si mund të diskutohen këto vendime përpara se të merren, kjo është çështje tjetër”, pohoi në një intervistë për Zërin e Amerikës Ambasadori i OSBE-së Bernd Borchardt.

Për të lexuar intervistën e plotë të Ambasadorit të OSBE-së, klikoni këtu

“Komuniteti ndërkombëtar ka provuar që ka të gjitha mundësitë të bëjë dhe banditët të votojnë për reformën në drejtësi. Kështu që nuk shoh asnjë pengesë reale, nëse ka një përkushtim real për një reformë reale, jo për t’i hedhur hy syve”, u shpreh Lulzim Basha, kryetar i PD.

“Strukturë ndërkombëtare, ndërmjetës ndërkombëtar dhe përkthyes në gjuhë të huaj për t’u marrë vesh mes shqiptarëve, unë për veten time nuk kam për të pranuar asnjëherë”, pohoi Edi Rama, Kryeministër i Shqipërisë.

“Nuk mundet që partitë jashtë parlamentit të anashkalojnë institucionet. Në fund të ditës, çdo marrëveshje do kalojë në kuvend dhe do duhen votat e opozitës, pra këto 38 vota”, tha Rudina Hajdari, bashkëkryetare e komisionit të posaçëm për reformën zgjedhore.

Por një prej çështjeve të nxehta, që krijon ndasi, lidhet me ndryshimin e sistemit zgjedhor, kërkuar nga opozita në parlament, por që dy partitë e mëdha të cilat e miratuan sistemin proporcional rajonal 11 vjet më parë, nuk e kanë në axhendë ndryshimin.

“Të paturit një system, i cili është proporcional kombëtar me lista të hapura, do ishte më konkurues dhe do kërkonte kandidatë më të pavarur më të mirë dhe më përfaqësues ndaj popullit”-, pohoi Rudina Hajdari, bashkëkryetare e komisionit të posaçëm për reformën zgjedhore.

“Kjo çështje do debat më të gjerë, dhe do një konsensus më të gjerë nga gjitha faktorët politikë”- pohoi Damian Gjiknuri Bashkryetar i komisionit të posaçëm për reformën zgjedhore.

“Çështjet që lidhen në përgjithësi me sistemin zgjedhor nuk figurojnë askund në raportet e OSBE-ODIHR-it. Qëndrimi i partisë demorkatike lidhur me përshtatshmërinë ose jo të sistemit aktual do të kristalizohet nga forumet më të larta të partisë”, tha Ivi Kaso sekretar për zgjedhjet në PD.

Dhe këtu palët ndahen, pasi opozita në parlament, kërkon me insistim që ndryshimi i sistemit zgjedhor t’i bashkëngjitet rekomandimeve te OSBE OHDHIR të parashikuara për t’u miratuar nga Komisioni dypartiak deri në fund të dhjetorit të këtij viti. Dhe shumica e vetme nuk arrin 84 votat e mjaftueshme për miratimin e reformës.

“Sigurisht nuk mund të jetë shqetësimi ynë primar llogaritë që lidhem me votat, numrin e votave të përshtatshme ose të mjaftueshme për ta miratuar në parlament. Për ne është i rëndësishëm që produkti i cili do të dalë nga një reformë zgjedhore e vërtetë”- argumentoi Ivi Kaso sekretar për zgjedhjet në PD.

“Ne nuk do aplikojmë asnjëherë votën tone, në momentin që sistemi nuk është pjesë e bisedës apo tryezës”- u shpreh Rudina Hajdari, Bashkryetare e komisionit të posaçëm për reformën zgjedhore.

“ E vërtetë që ata e kanë artikuluar me forcë që sistemin e kërkojnë si çështjen e parë që duhet adresuar, por mendoj se dhe ata (opozita në parlament) duhet t’i thërrasin ndërgjegjes së tyre kombëtare përballë disa proçeseve të rëndësishme që ka Shqipëria. Është dhe një problem, që do kërkojë më shumë kohë, dhe do të duhet të japin kompromisin për rekomandimet e ODIHR-it dhe marrëveshja të jetë që problemi i sistemit të trajtohet si çështja tjetër e dytë”, pohoi Damian Gjiknuri, bashkëkryetar i komisionit të posaçëm për reformën zgjedhore.

“Debati për rishikimin e sistemit zgjedhor filloi në fund të shtatorit. Mendoj se, për të, do të duhet më shumë kohë. Pra, do të ishte sfidë e madhe të përmbyllet deri në fund të vitit. Por megjithatë duhet bërë deri në pranverë ose në fillim të verës të vitit tjetër, pasi ekziston një rekomandim shumë i fortë nga Këshilli i Evropës dhe OSBE/ODIHR-i që ndryshimi i sistemit të bëhet jo më vonë se sa një vit përpara zgjedhjeve. Pra, puna duhet zhvilluar në paralel”, pohoi Bernd Borchardt, Ambasadori i OSBE-së.

Por para se të arrijnë tek diskutimi mbi sistemin zgjedhor, partitë kanë në tryezë disa rekomandime të forta të OSBE OHDHIR që lidhen me përcaktimin e mekanizmave për shmangien e presionit ndaj administratës publike, të abzumit të administratës, depolitizimin e KQZ-së, ndalimin e kronikave të gatshme të përgatitura nga partitë dhe lejimin e gazetarëve per të ndjekur veprimtaritë politike të partive, hetimin e të gjithave akuzave për abuzime përfshi dhe shitblerjen e votës, nje term që ju shtua rekomandimeve pas zgjedhjeve të 2017-ës.

“Pas zgjedhjeve të 2017-s, pati rreth 400 akuza për blerje vote. Policia dërgoi rreth njëqind në prokurori dhe, në raportin e fundit të prokurorisë, thuhej që katër hetime vazhdonin. Kjo është shumë pak. Unë e nxis prokurorinë të punojë shumë intensivisht për të gjitha shkeljet, qofshin presion i paligjshëm ndaj zgjedhësve, qofshin shitblerje të votës apo shkelje të tjera” , u shpreh Bernd Borchardt.

“Institucionet përkatëse kanë qenë të presuara dhe të detyruara që të mos ushtrojnë ndjekje penale dhe të nxjerrin para përgjegjësive edhe autorët e krimeve zgjedhore të provuara”- tha Ivi Kaso sekretar për zgjedhjet në PD.

“Unë besoj se është shumë e ekzagjeruar. Fenomeni i shitblerjes së votës ekziston dhe ka ekzistuar gjithmonë. Por ky fenomen nuk ka asnjë impakt sidomos në sisteme zgjedhore proporcionale si ky i yni, ku ndryshimi i madatave kërkon shumë vota. Unë mendoj që është i mbivlerësuar nga politika madje i përdorur si sebep, siç e përdori PD për të delegjitimuar një proçes zgjedhor”, pohoi  Gjiknuri.

Reforma zgjedhore dhe ecuria e saj ndodhet dhe përballë një enigme tjetër, pasi opozita e bashkuar ka djegur mandatet dhe insiston në kërkesën e saj për zgjedhje të parakoshme dhe qeveri teknike që çon vendin në zgjedhje. Por zgjedhjet e parakoshme nuk shihen si opsion për zgjidhjen e krizës politike as nga mazhoranca dhe as nga partitë e opozitës në parlament.

“ PD është në kurthin e rrugës që ka zgjedhur, pasi PD doli jashtë sistemit, luajti me mjete jo të sistemit dhe bëri një gabim historik duke mos marrë pjesë në zgjedhjet vendore dhe duke dorëzuar mandatet”, u shpreh Damian Gjiknuri, Bashkëkryetar i Komisionit të posaçëm për reformën zgjedhore.

“Di që ka shumë spekulime për zgjedhje të parakohshme, por Shqipëria ka një kushtetutë dhe, sipas kësaj kushtetute, zgjedhjet zhvillohen në vitin 2021, pra diçka më shumë se pas një viti e gjysmë. Ka mekanizma në kushtetutën e Shqipërisë për zgjedhje të parakohshme, por ky është një vendim politik, në të cilin unë, sigurisht, nuk kam zë”, u shpreh Borchardt.

A do të arrijë reforma zgjedhore të marrë jetë deri në fund të vitit sipas parashikimeve të OSBE ODHIR dhe ambicjeve të shumicës qeverisëse, Disa kushtëzime të partive opozitare në parlament dhe opozitës së bashkuar jashtë parlamentit, vendosin sot pikëpyetje të mëdha mbi këtë reformë e cila nëse kryhet, do të jetë e 13-ta që prej 29 vitesh në Shqipëri, ku janë mbajtur 17 zgjedhje. Kritikët thonë, se volumi i ndërhyrjeve në legjislacionin zgjedhor, tregon se proçeset zgjedhore ende kanë natyrë eksperimentale me problemtika dhe dukuri negative që cënojnë në vijimësi integritetin e tyre. /VoA/

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme