Reagim: Zaevi me metoda të regjimit të kaluar po mundohet të pengojë gjithpërfshirjen e qytetarëve në zgjedhje

13:46 | 28 Korrik 2021
A. B.

Vendimi i partive të vjetra politike për ndryshim të Kodit Zgjedhor (neni 62) në prag të zgjedhjeve lokale dhe sjelljen e ligjit me procedurë të përshpejtuar në parlament e shohim si kontrabandë tendencioze dhe veprim skajshmërisht jodemokratik.

Ne jemi thellë të bindur që ky veprim ka për qëllim vetëm mbrojtjen e interesave të partive të vjetra politike dhe parandalimin e iniciativave të reja të pavarura qytetare si dhe aktivistëve civilë që janë të gatshëm të marrin pjesë në zgjedhjet e ardhshme lokale, për të ndryshuar gjendjen e degraduar të komunave tona. Partitë në pushtet këtë vendim e morën menjëherë pas shpalljes publike që organizatat si Qyteti i gjelbër human – Shkup, Më Mirë Për Tetovën – Tetovë, Përndryshe – Manastir, Kandidatët e gjelbër – Gazi Babë/Shkup etj do të garojnë me lista të keshilltarëve të pavarur. Kjo është tregues i qartë që partitë e vjetra janë të vetëdijshëme që kanë humbur besimin tek votuesi i pavarur dhe se e kanë të rrezikuar komoditetin për udhëheqje pa përgjegjësi dhe llogaridhënie!

Është indikative se partitë e vjetra fillimisht përshëndetën pjesëmarrjen e listave të pavarura në zgjedhje, por me siguri pasi kanë bë anketa interne dhe kanë vërejtur perkrahjen e madhe që këto lista gezojnë tek qytetarët, ndryshuan strategjinë dhe tani me metoda andidemokratike duan të na bëjnë pengesa.

Kryeministri bashkë me partitë tjera, në vend që të adaptojnë modelet e mira të vendeve demokratike si Danimarka, Gjermania, Greqia, Kroacia apo Malta ku pengesat për të garuar në zgjedhje pothuajse jaë larguar, ai bën të kundërtën – sheh si ti pengojnë dhe sabotojë ato me procedura të lodhshme burokratike në periudhë të Covid-19, me qëllimin e vetëm për të ruajtur monopolin e partive të vjetra në shoqëri dhe duke përjashtuar gjithpërfshirjen në vendimmarrje të qytetarëve si parim themelor demokratik i të drejtave të njeriut dhe të garantuar edhe me Kushtetutë. Edhe vendet e rajonit nuk kanë pengesa të këtilla të cilat synojnë partitë e vjetra ti implementojnë në Maqedoninë e Veriut. Me këtë Kryeministri aktual, pas dështimit të marrjes së datës për bisedime me BE-në, po lëshohet në një avanturë me tendeca të kamufluara autokratike që na përkujton ish-kryeministrin Gruevski pas samitit të Bukureshtit në 2008.

Qyteti i gjelbër human – Shkup. në bashkpëpunim me iniciativat tjera dhe në përkrahje të më së paku 20 OJQ-ve në RMV tash më u kanë dërguar letër Presidentit Stevo Pendarovski, Europe House Shkup, Misionit të OSBE në Shkup dhe Misioneve Diplomatike në vend për t’iu përgjigjur vendimit fyes që pengon procesin zgjedhor demokratik në vend. Kërkojmë që OSBE dhe trupi diplomatik të reagojnë për këtë tentativë të partive për të minuar demokracinë edhe ashtu të brishtë në vend.

Duhet theksuar që këto veprime aspak nuk do të pengojnë aktivitetet tona, por përkundrazi vetëm na shtojnë vullnetin për t’u angazhuar edhe me tepër për të mirën tonë të përgjithshme. Përkrahja e madhe që kemi nga qytetarët në Komunën e Tetovës dhe paniku i partive në pushtet vërteton që jemi në rrugën e duhur drejt qëllimit fisnik – Më mirë për Tetovën!

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme