Rasti “Monstra”, sot bëhet analizë mbi makinën që është pjesë e dëshmive

08:48 | 11 Shtator 2018
A. B.

Në kuadër të gjykimit për rastin “Monstra” të Prokurorisë Speciale, për vrasjen e pesëfishtë në Liqenin e Smillkovës më 12 prill të vitit 2012, sot do të bëhet analizë mbi makinën e cila është propozuar si dëshmi materiale për këtë rast.

Në seancën paraprake u dëgjua dëshmitari i mbrojtur, i cili dëshminë e tij e dha nga një hapësirë e veçantë dhe me zë të montuar, përcjell Telegrafi Maqedoni.

Në dëshminë e tij ai tha se në vendin e ngjarjes ka qenë më 9, 10, 11 dhe 12 prill dhe se atje ka parë një makinë të tipit “Golf 3” në disa lokacione.

Ndërsa mbrojtja shprehu dyshime në dëshminë e dëshmitarit të mbrojtur. Avokati i të akuzuarve Naser Raufi, tha se dëshmitari i mbrojtur është konfuz dhe nuk e tregon të vërtetën.

Për vrasjen e pesëfishtë në Liqenin e Smillkovës më 12 prill, me burg të përjetshëm u dënuan Alil Demiri, Afrim dhe Agim Ismailoviq, Ezim dhe Haki Aziri dhe Sami Luta.

Gjykata e Lartë në dhjetor të vitit të kaluar shfuqizoi aktgjykimet dhe liroi nga burgu Agim Ismailoviqin, Haki Azirin, Sami Lutën dhe Fejzi Aziri, të cilëve ju shqiptoi masa të përkujdesit.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme