Google ADS

Rasti “Monstra”, kthesë pozitive për Gjyqësorin

13:40 | 8 Tetor 2017
Arbresh.info

Kërkesa e Prokurorisë Publike për rishikimin e rastit “Monstra”, njoftimet për një vendim të ngjashëm, apo për shpalljen e pafajshme të të dënuarve edhe për rastin “Sopoti”, ndërhyrjet e Prokurorisë Speciale në Gjykatën Penale për shkak të dyshimeve për parregullsi dhe shumë procese tjera të nisura, sipas ekspertëve juridikë, japin një fije shpresë për ndonjë një kthesë pozitive në Gjyqësor, në aspekt të vendosjen së tij në binarë normalë, e që ka të bëjë me sundimin e së drejtës.

Sipas profesorit të së Drejtës Kushtetuese, Mersim Maksuti, rasti “Monstra” që ta bëjë me kërkesën për rigjykimin apo anulimin e vendimeve me burgim të përjetshëm për gjashtë shqiptarë të dënuar për vrasjen e pesë maqedonaseve, në prill të vitit 2012, pa prova relevante, flet për drejtësinë e kapur nga ish-pushteti, por edhe për sinjalet se Gjyqësori mund të funksionojë mbi parimet e së drejtës, nëse lihet të punojë në bazë të ligjeve, dhe jo ndikimeve politike, shkruan REL, transmeton Zhurnal.mk

“Rasti i fundit, me kërkesën e Prokurorisë për rishikimin apo rigjykimin e rastit ‘Monstra’, është një sinjal apo kthesë se gjyqësia në Maqedoni po fillon një etapë të re në funksionimin e binarëve të shtetit juridik. Kjo pa dyshim se paraqet shpresë se tashmë gjyqësia dhe Prokuroria po hyjnë në fazën e funksionimit normal për një gjyqësi të pavarur”, thotë për Radion Evropa e Lirë profesori Maksuti.

Profesori i së Drejtës Penale, Gordan Kalljaxhiev, thotë se Gjykata Supreme e cila duhet ta thotë fjalën përfundimtare lidhur me kërkesën e Prokurorisë nuk duhet të ketë fare dilema, por sa më parë të vërtetojë vendimin e palës së akuzës, për kthimin e lëndës për rigjykim në shkallën e parë.

Ai vlerëson se ky proces gjyqësor ishte përplot me lëshime dhe prova që linin dyshime nëse këta persona ishin autorët e vërtetë të krimit.

“Ne kishim rastin kur edhe Prokuroria Publike nuk qëndron më pas akuzës, andaj konsideroj se Gjykata Supreme duhet të veprojë me moral. Nëse unë do të isha gjykatës dhe organ i akuzës, nuk do të mundja askënd ta dënoja me burg të përjetshëm përderisa ai që më argumenton akuzën e fajtorëve, nuk është vetë i sigurt, këtu e kam fjalën për Prokurorinë. Nuk kam asnjë dyshim se duhet të ketë rigjykim”, thotë profesori Kallajxhiev.

Ai thotë se veprimet e tilla, apo ndërhyrjet politike e kanë sjell Gjyqësorin në gjendje të rëndë, ndoshta më të keqen që nga pavarësia e vendit.

Rasti “Monstra” së bashku me “Sopotin”, vrasjen e Martin Neshkovskit, një protestuesi në një miting të partisë së Gruevskit, VMRO DPMNE, pastaj aksidenti me pasojë vdekjen e gazetarit Nikolla Mlladenov dhe rasti i “Lagjes së Trimave”, në Kumanovë, vlerësohen si skandalet më të mëdha që e kanë përcjellë qeverinë e kaluar mes VMRO-së dhe BDI-së.

Një vendim lirues nga akuza pritet të ketë edhe për rastin “Sopoti” ku dhjetëra banorë ishin dënuar me mbi 150 vjet burg për një bombë të shpërthyer në vitin 2002 në fshatin Sopot të Kumanovës, nga e cila kishin humbur jetën dy ushtarë të NATO-s.

Por, nga provat e paraqitura më vonë, madje edhe nga vetë zyrtarë të NATO-s, këta banorë rezultojnë të jenë të pafajshëm.

Profesori Mersim Maksuti beson se raste të tilla në të ardhmen nuk do të ndodhin dhe se pushteti aktual, sipas tij, edhe pse me një shumicë të paqëndrueshme, nuk do të tentojë të vërë dorën mbi Gjyqësor.

“Ky pushtet nuk ka bazë të fuqishme politike, të stabilitetit politik, në jetëgjatësinë e tij në kuptimin e numrave që përbëjnë qeverinë. Por, pavarësisht kësaj, mendoj se fryma që është krijuar, është ajo që do të sjellë reforma në të gjitha fushat, po pa dyshim se ato në radhë të parë do të vijnë në Gjyqësor”, vlerëson Maksuti.

Nga qeveria që tani drejtohet nga lideri i LSDM-së, Zoran Zaev, kanë thënë se hetime do të ketë edhe për rastet tjera, në veçanti për rastin e Kumanovës të para dy viteve, ku pati 19 viktima dhe dhjetëra të tjetër të plagosur. Qeveria ka miratuar edhe një strategji për reforma në Gjyqësor që për bazë kanë rekomandimet e bashkësisë ndërkombëtare.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme