Google ADS

Rasti i vogëlushit Almir Aliu, seanca gjyqësore në Apel është caktuar me datë 1 tetor

17:50 | 20 Shtator 2018
Arbresh.info

Ankesa e familjes së vogëlushit 4 vjeçar, Almir Aliu që u shtyp me makinë nga Boban Iliq për vendimin e shkallës së parë të Gjykatës së Kumanovës, që u dorëzua në fund të muajit qershor, ka arritur në Gjykatën e Apelit, shkruan Alsat-M. Seanca gjyqësore është caktuar me datë 1 tetor 2018.

Ndryshe, në korrik të vitit 2016-të, vogëlushi nga Kumanova Almiri, u shkel me makinë nga Iliq, pasi që paraprakisht babai i vogëlushit dhe ai kishin pasur një zënkë banale në ambulancë.

Fillimisht, Iliq ndiqej për veprën vrasje me paramendim, megjithatë e njëjta më pas u rikualifikua nga Prokuroria duke e ndjekur për veprën penale “vepra të rënda kundër sigurisë së njerëzve dhe pronës në komunikacion nga neni 300 paragrafi 2 në lidhje me nenin 297 paragrafi 1 nga Kodi Penal”.

Për rastin në fjalë ka pasur reagime të ashpra në opinion, duke organizuar protesta masive nga qytetarët të cilët e dënuan aktin e Prokurorisë, për shkak të rikualifikimit të lëndës.

Gjatë gjykimit, pati reagime në lidhje me atë se janë bërë lëshime gjatë procedurës, gjegjësisht janë marrë për dëshmi ekspertizat neuropsikiatrike të ekspertëve me licenca me afate të skaduara. Pos kësaj, edhe pse në kamerat e sigurisë shihet qartë se vëllai i Bobanit, Bojan Iliq, ka qenë i përfshirë në rrahjen me Sedat Aliun, Sami Demirin dhe Abdulla Aliun, ai nuk u përfshi në akuzë, gjegjësisht nuk u dënua.

Sipas vendimit të shkallës së parë, Iliq u dënua me 6 vjet burg, babai i Almir Aliut, Sedat Aliu me 6 muj burg ndërkohë që Sedat Demiri dhe Abdullah Aliu me 9 muaj burg për “dhunë”.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme