Pasi referendumi i Greqisë për çështjen e emrit dështoi për shkak të një mospërputhjeje të madhe midis votuesve të regjistruar dhe atyre aktualë, vendet e Ballkanit po mendojnë nëse është me vend pasja e pragjeve të tilla për një referendum.
Pragu i referendumit “50 për qind-plus-një”, që ekziston në shumicën e vendeve ish-komuniste, mund të jetë “një litar rreth qafës” për çdo referendum të mundshëm në Serbi për marrëdhëniet e saj me Kosovën, ose për referendume të tjera në rajon, paralajmërojnë ekspertët.
Pas referendumit të Maqedonisë më 30 shtator, i cili dështoi për shkak të pjesëmarrjes së ulët, ekziston frika se i njëjti skenar mund të ndodhë diku tjetër.
Disa vende në rajon ende i qëndrojnë pragut të pjesëmarrjes prej 50 për qind, për të siguruar që ndryshimet të kenë mbështetjen e duhur mbarëkombëtare, por ndërsa kjo mund ta zgjidhë këtë problem, pragje të tilla krijojnë probleme politike.
“Imagjinoni që unë t’i bëj thirrje popullit për një referendum, në të të marrin pjesë 25 ose 35 për qind e tyre dhe unë të them “Ne fituam”. Kjo është një situatë e pamundur për mua. Ekziston demokracia dhe ka një kushtetutë dhe ligje që duhet respektuar edhe kur dikujt nuk i pëlqen vendimi i popullit,” tha presidenti serb Aleksandër Vuçiq në 1 tetor në reagimin e tij ndaj rezultatit maqedonas.
Por edhe Vuçiq është i vetëdijshëm se në rastin e një referendumi të ardhshëm në Serbi, ai mund të përballet me të njëjtat probleme si qeveria maqedonase, kur një pjesëmarrje e ulët i bëri rezultatet të pavlefshme.
Kjo ka hedhur në dyshim një marrëveshje historike me Athinën për t’i dhënë fund pothuajse tre dekadave mosmarrëveshjesh që kanë penguar integrimin e Maqedonisë në BE dhe NATO.
Serbia, ashtu si vendet e tjera të Ballkanit, po vuan nga rënia e popullsisë e shkaktuar nga tendencat negative demografike dhe largimi i njerëzve drejt BE-së.
Këto tendenca reflektohen në të dhënat zyrtare. Këtë vit, numri i banorëve serbë, sipas Zyrës shtetërore të Statistikave në shtator, do të bjerë nën 7 milionë për herë të parë në vite.
Midis dy regjistrimeve të fundit të popullsisë, nga viti 2002 deri në vitin 2011, Serbia humbi 377,335 njerëz, që është më shumë se popullsia e qytetit të dytë më të madh të Serbisë, Novi Sad.
Pragjet nuk pasqyrojnë më faktet demografike
Bojan Klacar, nga Qendra për Zgjedhje të Lira dhe Demokraci, CeSid, rikujtoi se shumë ish-vende komuniste kishin pragje për një pjesëmarrje minimale në referendume.
“Në Serbi, si në shumicën e vendeve të tjera postkomuniste, një lloj kuorumi minimal ka kuptim në parim, sepse një referendum shpesh është një mjet i një instrumenti politik nga qeveria.”
“Ajo që është e diskutueshme në Serbi është se ky kuorum llogaritet nga numri i votuesve të regjistruar, gjë që është ligjërisht e saktë, por nuk reflekton në praktikë situatën reale, për shkak të trendeve emigruese,” tha ai për BIRN.
Siç shpjegoi Klacar, në praktikë, 50 për qind e votuesve do të thotë më shumë se 60 për qind e votuesve të vërtetë në dispozicion, sepse disa vlerësime janë se në Serbi nuk kanë mbetur më shumë sesa 5.5 milionë votues.
Të dhënat zyrtare që nga prilli 2017, kur u mbajtën zgjedhjet e fundit, tregojnë se 6,724,949 qytetarë kishin të drejtë të votonin në zgjedhjet serbe.
Ligji i Serbisë për referendumet thotë se një referendum është i vlefshëm nëse se shumica e qytetarëve që kanë të drejtën e votës dhe janë në listën zgjedhore votuan në të.
Tema mund të jetë më pak e rëndësishme nëse presidenti nuk do të kishte thënë “Ne do të duhet të mbajmë një referendum”, kur komentoi mbi mosmarrëveshjen Serbi-Kosovë më 23 gusht.
“Unë do të propozoj atë që mundem dhe ne do të duhet të mbajmë një referendum dhe le të vendosin njerëzit,” tha Vuçiq në qytetin verior të Zrenjanin.
Kosova shpalli pavarësinë në vitin 2008, të cilën Serbia ka thënë se nuk do ta njohë. Komuniteti ndërkombëtar po i vë nën më shumë presion të dy vendet që të zgjidhin mosmarrëveshjen për të siguruar integrimin e tyre në BE.
Klacar tha se mund të jetë e rëndësishme të hapet një debat rreth mënyrës sesi numërohen 50 për qind, pasi disa vende e llogarisin këtë përqindje bazuar në numrin e votuesve që morën pjesë në zgjedhjet e fundit parlamentare.
Historia e votimit e Serbisë tregon se pjesëmarrja zakonisht ka qenë mbi 50 për qind e votuesve të regjistruar, por kjo ishte me mediat dhe fushatat agresive, gjatë së cilës partitë i detyruan shumë nga mbështetësit e tyre të votonin.
Megjithatë, tre raunde zgjedhjesh presidenciale në Serbi kanë dështuar për shkak të pjesëmarrjes së ulët.
Në një referendum të mundshëm Serbi-Kosovë, situatat do të ishin të ndryshme për të dyja palët, pasi presioni këtë herë do të vinte nga BE-ja dhe Perëndimi.
Çfarë ndodhi në Maqedoni?
Një skenar i ngjashëm ndodhi në Maqedoni, ku regjistrimi i fundit u krye në vitin 2002. Në listën elektorale ka 1.8 milionë njerëz, bazuar në regjistrimin e fundit të popullsisë.
Të dhënat e Ministrisë së Brendshme thonë se Maqedonia ka mbi 2.4 milionë shtetas të regjistruar. Por kjo shifër përfshin njerëz që tani jetojnë jashtë shtetit dhe se sa njerëz jetojnë saktësisht tani jashtë vendit është subjekt spekulimesh të shpeshta.
Vlerësimi më pesimist është se vetëm 1.7 milionë njerëz vazhdojnë të banojnë në Maqedoni pas dy dekadash emigrimi të gjerë.
Profesori i së drejtës kushtetuese në Fakultetin Juridik të Universitetit të Unionit të Beogradit, Bogoljub Milosavleviq, thotë se pragu prej 50 për qind të votuesve është shumë i lartë që shumica e referendumeve të jenë të suksesshme.
“Kjo praktikë po braktise kryesisht për shkak të pjesëmarrjes së ulët,” tha ai për BIRN dhe shtoi se ky vendim ishte masa e duhur për shumë vende.
“Zakonisht, shumica e votuesve llogaritet në bazë të numrit të atyre që kanë votuar,” shtoi ai.
Nëse kjo praktikë do të vihej në zbatim në referendumin e Maqedonisë, do të kishte sukses, pasi më shumë se 90 për qind e votuesve e mbështetën marrëveshjen e emrit, pas së cilit Maqedonia do të bëhej “Republika e Maqedonisë së Veriut” dhe së shpejti, një anëtare e BE-së dhe NATO-s.
Për referendumin e pavarësisë së Malit të Zi për vitin 2006, pragu ishte vendosur në 55 për qind, gjë që ishte një precedent në Europë.
Por kjo u kërkua nga BE-ja dhe fuqitë perëndimore për të shmangur problemet e mundshme me komunitetin e madh serb në vend, i cili donte të qëndronte i bashkuar me Serbinë.
Pragu prej 50 për qind është gjithashtu një kusht në disa vende të tjera në rajon. I njëjti kusht u vendos për referendumin për “Ditën e krijimit të shtetit” në vitin 2016 në Republikën Srpska në Bosnjë.
Por në Kroaci, ky standard u braktis në vitin 2010, përpara referendumit mbi anëtarësimin në BE.
Mes frikës se referendumi për anëtarësimin në BE mund të dështonte për shkak të pjesëmarrjes së ulët, parlamenti i Kroacisë votoi për të ndryshuar pragun.
Profesori Milosavleviq risolli në kujtesë referendumin e debatueshëm që Serbia zhvilloi në vitin 2006, kur ndryshoi kushtetutën e saj.
Referendumi dy ditor më 28 dhe 29 tetor 2006 u shoqërua nga parregullsi të shumta, siç ishin votuesit pa mjet identifikimi, për të arritur pragun.
Milosavleviq gjithashtu vuri në dukje një çështje tjetër, ndryshimin midis kushtetutës së Serbisë dhe ligjit të saj mbi referendumet.
“Ky është një tjetër problem sepse kushtetuta e Serbisë nuk ka një kërkesë prej 50 për qind plus një, ndërsa Ligji për Referendume po,” vuri në dukje ai.
Ndryshe nga Ligji për Referendume, kushtetuta thotë se ai mund të ndryshohet nga “shumica e atyre që votuan në një referendum”.
Ekspertët thonë se nëse Serbia dhe Kosova arrijnë një marrëveshje, Serbia do të duhet të ndryshojë kushtetutën e saj, e cila ende e përkufizon Kosovën si pjesë të Serbisë.
Në këtë rast, presidenti mund të përdorë legjislacionin e parashikuar nga kushtetuta në të cilën “50 për qind plus një votë” nuk është kusht dhe të shpërfillë Ligjin për Referendume.
BIRN pyeti Komisionin Zgjedhor Serb nëse kishte përditësuar procesin e listave të votimit, por nuk mori asnjë përgjigje deri në kohën e publikimit të lajmit.
Barku i madh shkakton osteoporozën edhe tek meshkujt
Njëqind vjet më parë u ndërtua autostrada e parë në botë, a ...
Apple do ta mbajë kamerën telefoto periskop ekskluzivisht pë...
Rrëzimi i avionit në Lituani ngre dyshime se mund të jetë i ...
Ismajli vazhdon paraqitjet e jashtëzakonshme në Serie A
“M’ka pshtu nga goja”, Edi bëhet pishman për ofendimet ndaj ...