Google ADS

Rasti “Almiri”, nesër mbahet seanca gjyqësore

17:02 | 14 Shkurt 2018
Arbresh.info

Nesër do mbahet seanca e radhës për rastin e Almir Aliut.

Trupi gjykues në krye me Maja Denkovska do të kumtoj nëse organi i akuzës në Kumanovë do të largojë Prokuroren e lëndës Suzana Kusigerska ose jo. Informacione jo zyrtare për Alsat M bëjnë të ditur se Prokuroria Themelore e Kumanovës nuk do të largojë Kusigerskan si përfaqësuese e akuzës. Megjithatë, pala e dëmtuar është e vendosur në kërkesën e saj që në këtë rast të kërkojë largimin e lëndës nga Prokuroria e Themelore e Kumanovës.

Nuk dihet nëse procesi gjyqësorë do të nisë i gjithi nga fillimi, apo do të ketë rigjykim me procesverbale të deritanishme. Në rast se procesi nis nga fillimi, pala e dëmtuar do të kërkojë që në akuzë për dhunë të përfshihet edhe vëllai i Boban Iliç, Bojan Iliç ndaj të cilit, SPB Kumanovë më 26 qershor 2016 ka iniciuar padi penale për dhunë. Në dokumentin që ka siguruar Alsat M, Sektorit të Brendshëm në Kumanovë, në bazë të kamerave të sigurisë i ka rezultuar se Bojan Iliç në çastet kritike ka dalë nga vetura e tij dhe me shufër ka sulmuar të akuzuarit e tjerë për dhunë në këtë rast.

Kërkesa e palës së dëmtuar vjen pas tentativave për rikualifikim të lëndës nga “vrasje” në “aksident komunikacioni me pasojë vdekjen”. Pas paralajmërimeve të tilla, avokatët e familjes Aliu kërkuan nga Prokuroria e Lartë të prononcohet mbi tentativën për rikualifikim. Kjo e fundit kërkesën e adresoi në Prokurorinë Republikane ku edhe në kolegjin e mbajtur, prokurorët u ndanë në baza etnike. Respektivisht, 4 Prokurorët shqiptarë u mbi-votuan nga kolegët e tyre maqedonas me 6 vota pro rikualifikimit.

Për vrasjen e Almir Aliut akuzohet Boban Iliç, ndërsa për dhunë ndaj të akuzuarit dhe vëllait tij Bojan Iliç akuzohen Sedat Aliu, Abdulla Aliu dhe Sami Demiri. Vrasja e Almir Aliut ndodhi më 25 qershor të vitit 2016 në Kumanovë, pas një zënkë paraprake mes familjarëve të Almirit dhe të akuzuarit Boban Iliç i cili shtypi me makinë 4 vjeçarin nga Kumanova dhe prindërit e tij. /Alsat-M

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme