Rasti “Almir Aliu”, të premten shqiptohet vendimi i ri

23:00 | 19 Qershor 2019
Arbresh.info

Të premten shqiptohet dënimi për rastin e Almir Aliut. Duke u bazuar në procesin e rigjykimit deri më tani, pala e dëmtuar nuk pret vendim të drejtë. Sipas tyre, Gjykata Themelore e Kumanovës do ta përsërisë, siç thonë ata vendimin skandaloz sikur herën e parë kur Boban Iliq u dënua vetëm me 6 vite burg. Ndonëse Gjykata e Apelit pas vendimit të shkallës së parë ktheu lëndën në rigjykim pikërisht për shkak të ekspertizave të bëra nga ekspert pa licenca, Gjykata e Kumanovës përsëri ka pranuar si dëshmi në procedurë të njëjtat ekspertiza.

Në seancën e fundit, eksperti teknik i komunikacionit Stoillko Zllatkovski pranoi se në momentin kur është angazhuar nuk ka pasur licencë, por kjo gjë nuk i pengoi gjykatëses Maja Denkoska e cila pranoi si dëshmi mendimin shkencor të Zllatkovskit. Zllatkovski ishte angazhuar si ekspert në kundërshtim me Ligjin për Procedurë Penale, respektivisht, procedura penale nuk lejon që ekspertiza të futet si dëshmi në procedurë pas ngritjes së akuzës, por Gjykata e Kumanovës ka pranuar ekspertizën e kërkuar më 14 mars 2017 edhe pse akuza për “vrasje” ndaj Boban Iliq ishte ngritur më 21 dhjetor 2016.

Për të mos mjaftuar me kaq, në procedurë janë pranuar edhe ekspertizat e ekspertëve Branisllav Stefanovski dhe Zoja Babinkostova të cilët kanë përgatitur ekspertizat neuro-psikiatrike, dëshmi këto të cilat ndikuan për rikualifikimin e veprës nga “vrasje” në “vepër të rëndë kundër sigurisë së njerëzve dhe pronës në komunikacion”. Për këto arsye dhe mos pranimin e dëshmitarëve okular si dëshmi të propozuar nga pala e dëmtuar, mbrojta juridike e familjes Aliu kërkoi delegimin e lëndës nga Gjykata Themelore e Kumanovës në Gjykatën Themelore Penale Shkup.

Kërkesa e tyre nuk u pranua edhe pse paraprakisht mbrojtja e familjes Aliu kishte kërkuar edhe largimin e gjykatëses Maja Denkoska nga lënda dhe emërimin e një anëtari shqiptar në trupin gjykues. Nga Gjykata e Apelit ishin arsyetuar se palët nuk kanë të drejtë të kërkojnë delegimin e gjykatës, por vetëm organi akuzës. Për vrasjen e Almir Alit në vendimin e shkallës së parë, Boban Iliq i cili shtypi vogëlushin 4 vjeçar me makinë u dënuar me 6 vite burg, ndërsa Sedat Aliu, Abdulla Aliut dhe Sami Demiri u dënuan me 6 deri 9 muaj burg efektiv. Vendimi kishte ngjallur protesta, ndërsa në Kuvend u thirr Komision Anketues i cili deri më tani nuk ka mbajtur asnjë mbledhje të vetme. Vrasja e Almir Aliut ndodhi më 25 qershor 2016 në Kumanovë si pasojë e një zënke paraprake mes prindit të Almirit, Sedat Aliut dhe Boban Iliq bashkë me vëllain e tij Bojan Iliq i cili nuk është përfshirë në akuzën e Prokurorisë Themelore të Kumanovës./alsat

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme