Rastet e abuzimeve në internet në Maqedoni, pa epilog gjyqësor

19:38 | 21 Shkurt 2021
V. S.

Organet e sigurisë në Maqedoninë e Veriut nuk kanë njohuri të mjaftueshme se si të veprojnë në rastet e denoncimit të dhunës ndaj grave, veçanërisht kur gratë janë viktima të abuzimit në rrjetet sociale, thonë nga organizatat që merren me të drejtat e njeriut.

Nga këto organizata, problematike po vlerësohet edhe zgjatja e procesit të hetimit dhe dënimi i abuzuesve.

Ndërkaq, nga Ministria e Punëve të Brendshme, thanë për Radion Evropa e Lirë se është rritur numri i denoncimeve, sa u përket abuzimeve me të dhënat personale në rrjetet sociale.

Nga dikasteri i Policisë bëjnë të ditur se në pesë vjetët e fundit janë paraqitur 118 padi lidhur me keqpërdorimin e të dhënave personale, shantazhe si dhe ndërhyrje të paautorizuar në llogaritë në këto rrjete.

“Pas ndërmarrjes së masave janë zbardhur 49.2 për qind e rasteve, përkatësisht 58 vepra penale. Ndërkaq, penalisht janë ndjekur 17 kryerës të këtyre veprave penale”, thonë nga Ministria e Punëve të Brendshme, duke shtuar se në vazhdimësi po kryhen aktivitete për gjetjen e këtyre keqbërësve.

Por, Blerta Ahmedi-Arifi, ligjëruese e të drejtave të njeriut në Universitetin e Evropës Juglindore në Tetovë, thotë për Radion Evropa e Lirë se vetëm inkurajimi që qytetarët të denoncojnë këto raste nuk mjafton. Ajo thotë se autoritetet duhet të shtyjnë përpara këto raste më shpejt, teksa thotë se “drejtësia e vonuar është padrejtësia më e madhe” që mund t’iu bëhet viktimave, veçanërisht nëse viktimat janë persona të mitur.

Ahmedi-Arifi thekson se autoritetet duhet të veprojnë shpejt kur ka abuzime me të dhëna personale, siç ishte rasti me “Dhomën publike” në platformën Telegram, ku ishin shpërndarë fotografi me përmbajtje eksplicite të vajzave të mitura dhe grave, pa dijeninë e tyre.

“Rastet e abuzimit te të rinjtë në rrjetet sociale padyshim se lënë pasoja shumë të rënda te viktimat, në aspektin psikik të tyre. Por, këtu vjen në shprehje pyetja që ka të bëjë me efikasitetin e organeve të ndjekjes. Aktualisht këto raste (të abuzimit në rrjete sociale) janë zbardhur pjesërisht dhe kryerësit e tyre ende nuk kanë marrë dënimin e merituar, gjë që ka ndikuar në përsëritjen e këtyre veprave penale”, thotë Ahmedi-Arifi.

“Patëm rastin të dëgjojmë deklaratën e njërës nga viktimat e rastit të quajtur ‘Dhoma publike’, ku në videon që vetë e kishte postuar tregoi se sa e rëndë dhe sa negativisht ka ndikuar kjo vepër penale te ajo. Kjo na sjellë në përfundim se edhe viktimat e tjera, më pak të guximshme se viktima e lartpërmendur, janë dëmtuar rëndë në aspektin emocional dhe atë psikik, si dhe në aspektet e tjera sociale”, shton ajo.

Ndërkohë, Platforma për Barazi Gjinore ka thënë se Ministria e Brendshme ka afat deri më 8 mars që të bëjë ndryshime të politikës së brendshme për sanksionimin e zyrtarëve policorë, të cilët nuk kanë vepruar pas paraqitjes së rasteve të dhunës.

“Presim padi nga Ministria e Punëve të Brendshme kundër autorëve të ‘Dhomës publike’ për veprat: keqpërdorim të të dhënave personale, ndërmjetësim prostitucioni, rrezikim të sigurisë, shpërndarje të materialit ksenofobik dhe racist përmes pajisjeve elektronike. Presim fillimin e procesit për pastrim të policisë nga pjesëtarët që kanë ushtruar dhunë ndaj grave si dhe sanksionimin e tyre”, tha Bojana Janovska nga Platforma për Barazi Gjinore.

Njohësi i mediave sociale, Bojan Kordallov, thotë për Radion Evropa e Lirë se shoqëria maqedonase ka nevojë për edukim sa i përket sjelljes dhe posaçërisht përgjegjësive që kanë gjatë komunikimit në mediat sociale.

“Sa më shumë të flitet për pesat që kanë shkelur ligjin sa i përket ruajtjes së privatësisë apo abuzimeve të tjera të ndryshme në rrjetet sociale, aq më shpejt këtë çështje mund ta vendosim në binarët e duhur”, thotë Kodallov.

Në platformën Telegaram, këtë vit u aktivizua sërish “Dhoma publike” e cila ka 6.500 anëtarë. Aty u shpërndan më shumë se 10.000 fotografi dhe video me përmbajtje eksplicite të vajzave të mitura dhe grave.

Edhe vitin e kaluar kishte qenë aktive “Dhoma publike”, megjithëse deri më tani askush nuk është përgjigjur penalisht për keqpërdorimin e të dhënave personale dhe shfrytëzimin e fëmijëve në internet./REL/

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme