Presidenti rus, Vladimir Putin e ka ftuar presidentin serb, Aleksandar Vuçiq, për të vizituar Moskën më 25 maj të vitit tjetër, kur do të shënohet përvjetori i 80-të i fitores në Luftën e Dytë Botërore, transmeton Radiotelevizioni i Serbisë (RTS).
“Ju ftoj të merrni pjesë në festimet për 80-vjetorin e fitores së Luftës së Madhe Patriotike, që do të mbahen në Moskë në maj të vitit 2025”, është cituar të ketë thënë Putin.
Kabineti i presidentit të Serbisë, as nuk e ka pohuar, dhe as mohuar këtë informacion, kur është pyetur nga Radio Evropa e Lirë për konfirmim.
Mes tjerash, Putin është thënë të ketë përmendur në ftesë se ai është i bindur që ruajtja “e kujtesës së fitores së madhe do të forcojë vendosmërinë e përbashkët” për të rritur “bashkëpunimin konstruktiv, me qëllim të garantimit të paqes dhe sigurisë në planet”.
Putin e pati ftuar Vuçiqin edhe në samitin BRICS, të mbajtur në tetor, në qytetin rus, Kazan.
Megjithatë, Vuçiq nuk i është përgjigjur ftesës, duke thënë se Serbia do të ishte nikoqire e disa mysafirëve të rëndësishëm në atë periudhë.
Ato ditë, Serbia ka pritur presidenten e Komisionit Evropian, Ursula von der Leye, si dhe liderë të shteteve të BE-së, në mesin e tyre, kryeministrin polak, Donald Tusk dhe kryeministrin grek, Kyriakos Mitsotakis.
Një delegacion i Qeverisë së Serbisë pati marrë pjesë në samitin BRICS, i cili konsiderohet si përpjekje e Rusisë për të krijuar një kundërpeshë ndaj ndikimit të Perëndimit në botë.
Zëvendëskryeministri i Serbisë, Aleksandar Vullin, pati marrë pjesë në samit dhe më pas pati takuar edhe Putinin.
Vullin është nën sanksione amerikane, mes tjerash edhe për lidhjet e ngushta me Rusinë.
BE-ja kishte reaguar pas këtij takimi, duke thënë se të gjitha shtetet që kanë statusin e vendit kandidat për bllokun evropian, “duhet të përmbahen nga kontaktet me Rusinë dhe presidentin e saj”.
Ndonëse Serbia e gëzon këtë status, ajo është e vetmja në Ballkanin Perëndimor që nuk u është bashkuar sanksioneve të Perëndimit për të dënuar Rusinë për luftën e nisur në Ukrainë, dhe vazhdon të kultivojë lidhje me zyrtarët në Moskë./rel
“90% e prindërve kërkuan mbylljen e aksesit në TikTok”, Rama...
Policia shqiptoi mbi 1 mijë e 200 gjoba gjatë 24 orëve të fu...
I dyshuari për sulmin në Gjermani përballet me 5 akuza për v...
“Biletë kthimi e çek me para” – gjashtë avantazhet që ndodhe...
Mund të largohet i lirë nga Barcelona, tre gjigantët evropia...
“Mashtruese”, debat i ashpër mes Xhenetës dhe Sarës