Departamenti i Shtetit vlerëson se Ramiz Merko është përfshirë në korrupsion të konsiderueshëm. Në njoftim thuhej se zoti Merko ka përvetësuar fonde në mënyrë të paligjshme dhe ka ndërhyrë në procese gjyqësore dhe procese të tjera publike, duke dëmtuar besimin e publikut ndaj institucioneve demokratike të Maqedonisë së Veriut. Atij dhe anëtarëve të familjes së tij të ngushtë i ndalohet hyrja në Shtetet e Bashkuara.
Ramiz Merko ka vendosur të ngrijë aktivitetet në strukturat partiake të Bashkimit Demokratik për Integrim, ku mes tjerash, bartë postin e njërit prej nënkryetarëve. Partia nuk i ka kërkuar atij dorëheqjen. Ndërkohë, kryeministri maqedonas Dimitar Kovaçevski pret që Prokuroria të hedh dritë mbi rastin e Merkos, por as ai nuk kërkon largimin e tij nga posti.
Nga ana tjetër, opozita maqedonase ka shtuar kërkesat për largimin e zotit Merko nga detyra. “Prokuroria Publike dhe institucionet e tjera, nëse hapin një rast, kanë të drejtë të kontrollojnë dokumentacionin e përgjithshëm të komunës së Strugës dhe urdhërojë marrjen e gjithçkaje që ligjërisht nuk i takon Merkos”, thekson VMRO-DPMNE./voa/