Qindra emigrantë të parregullt që qëndrojnë në kampin Vucjak në afërsi të qytetit Bihaç në veriperëndim të Bosnjë e Hercegovinës (BeH) mbijetojnë nën kushte të vështira, raporton Anadolu Agency (AA).
Në kampin i cili ndodhet rreth 15 kilometra nga kufiri me Kroacinë dhe i përbërë vetëm nga çadrat, qëndrojnë rreth 700 emigrantë të parregullt kryesisht nga Pakistani dhe Afganistani. Me ëndrrën për të mbërritur në vendet e Evropës Perëndimore emigrantët nën kushte të vështira, të uritur, pa ujë dhe nën përpjekje për t‘u mbrojtur nga i ftohti dhe shiu ata bëjnë planet e tyre për të kaluar fillimisht në Kroaci dhe më pas në vendet e tjera të Evropës.
Në kampin e tejmbushur me emigrantë ku mungon uji i pijshëm dhe është i rrethuar nga plehrat, shpërndahet ushqim dy herë në ditë nga institucionet e ndihmave. Të gjithë emigrantët meshkuj që qëndrojnë këtu, me drutë që mbledhin nga pylli ndezin zjarre ku edhe ngrohen, por edhe gatuajnë ndonjë gjë për t’u ushqyer sadopak.
Emigrantët të cilët gjatë ditës shkojnë në qytetin Bihaç për të blerë gjëra nga marketet kthehen sërish në kamp mbrëmjeve. Pak para se të errësohet një grup emigrantësh duke përdorur rrugën e pyllit ndahen nga kampi për të kaluar në Kroaci që është vend anëtar i Bashkimit Evropian (BE).
Një nga emigrantët në kamp duke treguar rrugën prej dheut që përparon drejt pyllit shprehet se “ja kjo rrugë shkon në Itali”.
Ndërkohë emigrantët tregojnë edhe përpjekje të ndryshme për të fituar paratë e nevojshme që të vazhdojnë rrugën që kanë nisur, ku disa prej tyre nëpërmjet një gjeneratori të vogël mbushin telefonat me energji elektrike kundrejt pagesës, ndërsa dikush tjetër u shet emigrantëve ushqime tradicionale që kanë gatuar me zjarrin e ndezur.
Emigrantët ankohen për dhunën nga policia kroate
Shumica e tyre kanë provuar disa herë kalimin e kufirit, por janë rikthyer në Bosnjë e Hercegovinë pasi janë kapur nga policia kroate, e cila me sjelljen e keqe ndaj tyre është një prej problemeve më të mëdha të emigrantëve.
Emigranti me emrin Mustafa, i cili është nisur një vit më parë nga Pakistani, duke deklaruar se ka provuar më parë pesë herë kalimin e kufirit, tha se, “Dua të shkoj në Itali, por jam kapur në çdo përpjekje. Policia kroate kur na kap na merr çdo gjë që kemi mbi trup. Madje na ka marrë edhe këpucët dhe xhupat tanë dhe na kanë rikthyer ashtu në këtë kohë të ftohtë”.
Më tej Mustafa ka shpjeguar se përparojnë vazhdimisht në rrugën e pyllit për shkak se nuk dëshirojnë të shqetësojnë njerëzit në këtë destinacion. Ai ndër të tjera ka theksuar se përballen me trajtim çnjerëzor në kufi.
Mustafa tha se nga Pakistani ka ardhur në Bosnjë e Hercegovinë duke ecur.
“Të gjithë këtu duan të shkojnë në një vend të ndryshëm të Evropës. Duam të shkojmë atje që të punojmë, të fitojmë para dhe pjesën tjetër të kujdesemi për familjet që kemi pas”, shpjegoi ai më tej.
Ndërsa afgani Omer, i cili ka qëndruar për një periudhë rreth një vit në Turqi para se të mbërrinte në Bosnjë e Hercegovinë, ka shpjeguar se, “Në kampin Vucjak ka shumë probleme, nuk ka ujë, ushqim madje as këpucë”.
Pas qëndrimit për një vit në Turqi, Omer njofton se ka mbërritur në Bosnjë e Hercegovinë duke ndjekur destinacionin Greqi-Maqedoni e Veriut-Serbi dhe se ai dëshiron që nëpërmjet Kroacisë dhe Sllovenisë të shkojë në Itali dhe që nga aty në Belgjikë.
Ndërsa pakistanezi Enver duke bërë të ditur se dëshiron të shkojë në Gjermani, deklaroi se “Kushtet në kampin Vucjak janë shumë të këqija, pasi nuk ka tualete, ushqime dhe vend për të fjetur”.
Dimri po afron tha Enver, duke theksuar se, “Problemi ynë më i madh është mungesa e ujit. Gjithashtu flemë në tokë ku dhe një prej gjërave që kemi më shumë nevojë është batanija”.
Shpërndahen dy vakte ushqimi në ditë
Muhamed Cehic, drejtuesi i ekipit të lëvizshëm të Kryqit të Kuq për qytetin Bilhaç, është shprehur se aktualisht në kampin Vucjak ndodhen rreth 700 emigrantë, por se numri i tyre rritet çdo ditë dhe se ata si Kryqi i Kuq po kryejnë përpjekje me aq mundësi sa kanë për të ndihmuar këto njerëz.
“Çdo ditë shpërndajmë dy vakte ushqimi në mëngjes dhe në drekë”, tha Cehic, duke shtuar se, “Asnjëri prej këtyre këtu nuk mendon të qëndrojë në Bosnjë e Hercegovinë. Ka ardhur dimri dhe i shohin kushtet që janë këtu”.
Ndërsa në anën tjetër bëhet e ditur se në kampin e përbërë nga çadrat nuk janë bërë përgatitje për dimër. Produktet e ndihmave me 5 maune që janë dërguar nga Gjysmëhëna e Kuqe Turke do të mund të ndihmojnë sadopak njerëzit që ndodhen këtu.
Pavarësisht paralajmërimeve të bëra disa herë nga Bashkimi Evropian (BE) për kampin në Vucjak, akoma nuk është gjetur një alternativë. Kriza në të cilën ndodhen emigrantët e papërgatitur për dimrin që pritet të kalojë i ashpër, parashikohet se do të rritet edhe më shumë nëse nuk gjendet një zgjidhje për periudhën në vijim.
Një problem tjetër është se qyteti Bihaç dhe vendbanimet e tjera përreth tij po mbajnë barrën e kësaj krize të emigrantëve. Po ashtu fakti që emigrantët vijnë në këtë rajon intensivisht për shkak të afërsisë me kufirin, rrit çdo ditë edhe më shumë problemet.
Paralajmërimi i Kurtit pas shpërthimit në Ibër Lepenc: Një p...
Shpërthimi në Ibër Lepenc, Kurti do të mbajë mbledhje të Kës...
Kurti: Besojmë se sulmi terrorist në Ibër Lepenc vjen nga fq...
KOSTT: Shpërthimi në Ibër Lepenc nuk ndërlidhet me ndërprerj...
Kryeministri Kurti thërret sonte konferencë për media
Osmani për shpërthimin në Zubin Potok: Bandat kriminale serb...