Google ADS

Qeveria është në pritje të përgjigjes së Francës pas miratimit të propozimit nga parlamenti bullgar

15:33 | 26 Qershor 2022
Fjolla Bajraktari

Ndonëse nuk dihet një datë konkrete, Qeveria pret që ditëve në vijim propozimi francez për zhbllokimin e procesit integrues të arrij në Shkup.

Burime nga Ministria e Jashtme thonë shkurt se në javën që pason propozimi francez mund të arrijë në adresë të tyre, por pa precizuar saktësisht ditën edhe pse shpresat për tejkalimin e bllokadës mund të shuhen më 30 qershor.

Ndërkohë opozita pretendon se propozimi francez i miratuar në parlamentin bullgar nuk është ai të cilin sipas tyre e propagandon Qeveria.

Nënkryetari i VMRO-DPMNE-së, Aleksandar Nikollovski në një intervistë për televizionin Sitel ka deklaruar kërkesat bullgare do të jenë pengesë edhe për Qeveritë e ardhshme.

“Qëllimi i Osmanit nuk korrespondon me deklaratat që i jep dhe mundohet të na e shet neve me një trik të thjeshtë se korrigjimi i dy fjalive në pozicionin bullgar përmes një amendamenti në parlamentin bullgar nënkupton se janë përmirësuar punët. Jo, janë të njëjtat. E para nuk njihet gjuha maqedonase. Thuhet se dyja palët duhet japin interpretimet e tyre dhe neve e dimë se bullgarët do të thonë se gjuha maqedonase është dialekt i gjuhës bullgare. E dyta, figurat historike të gjitha shkruhen si bullgar, që do të thotë neve jemi dru pa rrënjë, nuk ekzistojmë si komb dhe jemi kombi kimik i shpikur. E treta insistohet në hapjen e Kushtetutës pa pasur garanci se kjo do të jetë kërkesa e fundit e bullgarëve”, tha Aleksandar Nikollovski, Nënkryetar i VMRO-DPMNE-së.

Ndaj akuzave të Nikollovskit dhe pretendimeve të tij se Osmani më tepër punon që Shqipëria të merr datë për negociata se sa Maqedonia e Veriut, i pari i diplomacisë iu kundërpërgjigj duke thënë se qëndrimet e Nikollovskit burojnë nga albanofobia dhe qëllimi për të rrënuar pozicionet shtetërore përmes ndarjeve etnike.

“Të tentosh ta sulmosh dhe cenosh shtyllën kryesore të shtetit ku edhe mbështetet forca e pozicioneve tona, nuk është vetëm jo përgjegjësi, por thellë brenda vetes përmban një patologji e cila gjendet fshihet në rrënjët e albanofobisë. Qëllimi është i qartë, por shpresoj që këto qëndrime të mos i ketë edhe VMRO-DPMNE-ja. Duke hedhur gurë dhe dru mbi shqiptarët si armiq të këtij shteti, tentohet të krijohet ndarje etnike mbi çështjet strategjike”, deklaroi Bujar Osmani, Ministër i Jashtëm.

Ditë më parë ministri i Jashtëm, Bujar Osmani tha se dy gjëra në kornizën negociuese e ndajnë Shkupin dhe Sofjen nga marrëveshja, protokolli i cili i referohet procesverbaleve nga zbatimi i marrëveshjes për fqinjësi të mirë dhe koha për hapjen e Kushtetutës.

Shkupi kërkon që hapja e aktit më të lartë juridik të vendit të bëhet pas hapjes së negociatave./Alsat.mk

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme