Pakot e ndihmave, siç theksojnë afaristët, të mos jenë të përgjithësuara, por të jenë të konkretizuara për çdo lëmi në veçanti. Pako të ndryshme financiare për rimëkëmbjen e ekonomisë, ndërsa për sektorët më të prekur të hiqet tërësisht tatimi në fitim.
Afaristët në Maqedoninë e Veriut thonë se sa më shumë vonohet formimi i qeverisë së re të vendit aq më shumë grumbullohen problemet e shkaktuara nga kriza e koronavirusit duke vënë në rrezik mbijetesën e shumë kompanive. Ata thonë se qeveria e re duhet tërë energjinë ta drejtojë në shans të rikuperimit ekonomik të vendit pas goditjes së rëndë që i ka shkaktuar koronavirusi, pasi nga 27 degë të industrisë në 24 prej tyre është regjistruar rënie e prodhimit industrial. Drilon Iseni nga Oda Ekonomike e Maqedonisë Veriperëndimore, për Radion Evropa e Lirë thotë se qeveria e ardhshme do të duhet të ketë në fokus mbajtjen gjallë të sektorit real që ka pësuar dëme të mëdha në shumë lëmi siç është, gastronomia, transporti, ndërtimtaria, etj.
“Vlerësojmë se qeveria e ardhshme do të duhet sa më parë të fokusohet në sanimin e dëmeve që ka sjellë pandemia e koronavirusit për aq sa do të ketë mundësi, masat duhet të përgatiten në përputhje me kërkesat e sektorëve të ndryshëm që janë të rëndësishëm për ekonominë. Dhe ajo që e kemi theksuar gjithmonë që pakot e ndihmave të mos jenë të përgjithësuara, por të jenë të konkretizuara për çdo lëmi në veçanti. Për rimëkëmbjen e ekonomisë duhet të mendojë qeveria e re e vendit për pako të ndryshme financiare. Për sektorët më të prekur të hiqet tërësisht tatimi në fitim”, thotë Iseni.
Ndërkohë, nga dikasteri i Financave, kanë theksuar se në korrik për herë të parë është regjistruar rritje e të ardhurave mujore nga fillimi i krizës së koronavirusit, gjë që sipas ministres së Financave, Nina Angellovsa. kjo tregon se rimëkëmbja e ekonomisë po zhvillohet në drejtimin e duhur. “Edhe krahas sfidave me të cilat përballet ekonomia, në kushte kur vendi po përballet me virusin COVID-19, ekzekutimi i buxhetit po zhvillohet sipas planit. Pas realizimit të të ardhurave të përgjithshme në qershor të cilat kishin trend negativ me minus 9,6 për qind krahasuar me vitin e kaluar, në momentin që masat kufizuese filluan të lirohen dhe aktiviteti ekonomik të ringjallet, kemi realizim pozitiv në korrik me një rritje prej 1,4 për qind, kjo paraqet tregues se ringjallja po zhvillohet me një dinamikë të mirë”, ka theksuar Angellovsa.
Por, Branimir Jovanoviq, ekspert i ekonomisë, për Radion Evropa e Lirë thotë se mund të shpresohet në rezultate pozitive afatgjate në momentin që do të vihet nën kontroll situata me koronavirusin. “Porosia që duhet ta kuptojë qeveria e ardhshme është se nëse duan rezultate të mira ekonomike duhet ta orientojnë tërë kapacitetin në vënien në kontroll të koronavirusit . Masat ekonomike duhet mirë të gërshetohen me masat shëndetësore që virusi COVID-19 të mos e bllokojë tërësisht sektorin real siç ndodhi në fillim të pandemisë”, thotë Jovanoviq. (REL
Media britanike “The Guardian”: Aventurë emocionuese skijimi...
Amerikanët zgjedhin mes dy vizioneve qartësisht të ndryshme
“E kemi çmuar aq shumë interesimin e popullit të Kosovës për...
Kurti: Ndihma nga Luksemburgu për Kosovën është lart mbi mes...
Lavrov: Rusia do t’i përgjigjet me të gjitha mjetet e mundsh...
Trepça luan sonte sfidën e radhës në Fiba Europe Cup