Kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Dimitar Kovaçevski, ka thënë të martën se kabineti i tij do të japë dorëheqje, të enjten, më 25 janar, për t’i hapur rrugën formimit të Qeverisë teknike.
Dorëheqjen do ta paraqesë edhe kryetari i Kuvendit, Talat Xhaferi, i cili pritet të emërohet kryeministër i Qeverisë teknike, e cila do të funksionojë 100 ditë, apo deri në zgjedhjet parlamentare, që do të mbahen më 8 maj.
“E gjithë Qeveria do të jetë në dorëheqje, të enjten në orën 10:00. Do të kemi kohë të mjaftueshme që t’i kryejmë të gjitha formalitetet dhe të dielën (28 janar) të votohet Qeveria teknike”, ka deklaruar Kovaçevski.
Para votimit të Qeverisë së re, Kuvendi duhet të zgjedhë kryeparlamentarin e ri, Jovan Mitreski, aktualisht kryetar i grupit parlamentar të Lidhjes Social-Demokrate (LSDM).
Qeveria teknike, bazuar në Ligjin për Zgjedhjet, formohet 100 ditë para çdo cikli zgjedhor, dhe ka për detyrë organizimin dhe mbarëvajtjen e zgjedhjeve parlamentare.
Pjesë e kësaj Qeverie, përveç partive që aktualisht përbëjnë ezekutivin, LSDM-ja, BDI-ja dhe Aleanca për Shqiptarët, duhet të jetë edhe opozita, konkretisht VMRO DPMNE-ja, të cilës i takojnë Ministria e Punëve të Brendshme, Ministria për Punë dhe Politikë Sociale, si dhe tre zëvendësministra me kompetenca të veçanta, që do të thotë se ministrat nuk do të mund të marrin asnjë vendim pa nënshkrimin edhe të zëvendësministrave.
Por, kryetari i VMRO DPMNE-së, Hristijan Mickovski, ka thënë se deputetët e saj nuk do të votojnë për Qeverinë teknike, pasi janë kundër që ajo të udhëhiqet nga Talat Xhaferi, kuadër i Bashkimit Demokratik për Integrim (BDI) pasi e akuzojnë për shkelje të shumta ligjore gjatë punës si kryetar i Kuvendit.
BDI-ja, nga ana tjetër, ka paralajmëruar se “në rast se VMRO-ja nuk voton kandidatët e saj për ministra, atëherë BDI-ja nuk do të votonte kandidatët e VMRO-së”.
Gjatë njoftimit për dorëheqjen e Qeverisë, kryeministri Dimitar Kovaçevski ka thënë se “zgjedhjet e ardhshme do të jenë zgjedhje mes Perëndimit dhe Lindjes”.
“Bëhet fjalë për zgjedhje, ku ju keni partitë politike të qendrës dhe të qendrës së majtë apo partitë politike të qendrës dhe qendrës së djathtë. Por, në vendin tonë tani do të ketë zgjedhje në të cilat do të përballen partitë politike që favorizojnë orientimin perëndimor të shtetit, dhe partive politike që janë për një orientim të qartë lindor të vendit”, ka thënë Kovaçevski.
Por, VMRO DPMNE-ja ka thënë se pohimet e këtilla të zyrtarëve në pushtet bëhen “ me qëllim që krimin dhe korrupsionin ta fshehin përmes integrimeve evropiane”.
Zgjedhjet parlamentare në Maqedoninë e Veriut, më 8 maj, mbahen së bashku me rundin e dytë të zgjedhjeve presidenciale.
Rundi i parë i zgjedhjeve presidenciale do të mbahet më 24 prill./rel
Kryeministri Kurti mirëpriti një delegacion të bizneseve nga...
Therje me thikë ne Lipjan
LDK nesër pret në takim 150 bizneset më të mëdha në vend, Ru...
Mickoski: Kushdo që hap një temë për çështje identitare nuk ...
Begaj pret ministrin Sikorskin: Vazhdim i mbështetjes për in...
Interi konfirmon lëndimin e Barellas – zbulohet se sa do të ...