Google ADS

Qeveria e Maqedonisë harton strategji për lehtësimin e masave

16:31 | 20 Prill 2020
L G

Maqedonia e Veriut ndodhet në ditën e tretë të karantinës prej 85 orëve e cila ka filluar të premten pasdite dhe përfundon të martën në orën pesë të mëngjesit.

Nga Qeveria e Maqedonisë së Veriut bëjnë të ditur se janë në përpilimin e një plani në bazë të së cilit do fillojë lehtësimi i masave për kufizimin e lëvizjes së qytetarëve si masë për të parandaluar përhapjen e koronavirusit.

Kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Oliver Spasovski, të hënën përmes një postimi në profilin e tij në Facebook, ka theksuar se jeta do të fillojë të kthehet në normalitet pas 1 majit.

“Përgatisim plan serioz, pas festave të 1 majit të fillojë procesi i kthimit në normalitet . Kjo nuk do të jetë shpejt, as menjëherë”, ka shkruar kryeministri Oliver Spasovski në profilin e tij, pasi ndodhet në izolim për shkak të kontaktit fizik që ka pasur me kryetarin e komunës së Kumanovës Maksim Dimitrievski i cili javën e kaluar ishte diagnostikuar me COVID-19.

Por, ish ministri i Shëndetësisë, Arben Taravari për Radion Evropa e Lirë thotë se qeveria duhet të fillojë pa u vonuar me lirimin e masave në përputhje me praktikat e vendeve të Evropës, duke theksuar se në këtë drejtim duhet informuar punëdhënësit për rregullat e reja që duhet t’i aplikojnë, veçanërisht pas hapjes së bizneseve të vogla.

“Nëse analizojmë numrin e të infektuarve gjatë dy javëve të fundit do të shohim se në Maqedoninë e Veriut kemi stabilizim të situatës respektivisht të numrit të të infektuarve me virusin COVID-19, kështu që nuk duhet pritur 1 maji, por mendoj se që nga kjo javë duhet të prangohet ora policore, përkatësisht ajo të mos filloj në orën 16:00, por të shtyhet në 18:00 ose orën 19:00″.

“Ndërkohë, është e patjetërsueshme tu përmbahemi të gjitha rekomandimeve që i jep OBSH-ja për të parandaluar përhapjen e koronavirusit. Kështu që edhe një herë e theksoj se Maqedonia e Veriut nuk duhet të vonohet duke i përcjellë hapat e Serbisë, por duhet të ketë strategjinë e vet sepse tashmë kemi stabilizim të rasteve me infeksion me COVID-19”, thotë Taravari.

Ndërkohë Qeveria e Maqedonisë së Veriut ka vendosur masa të veçanta për tri qytete, Tetovë, Kumanovë dhe Prilep, si rezultat i shtimit të numrit të rasteve në këto qytete.

Në Tetovë, Kumanovë dhe Prilep nga e mërkura të gjithë qytetarët do të jenë të obliguar të mbajnë maska dhe dorëza pas daljes nga shtëpia në rrugë, hapësira publike, në punë, dyqane dhe cdo institucion ku do të kërkojnë shërbime.

Përderisa nga nesër ndalohet çdo hyrje-dalje nga qyteti i Tetovës, përpos transportit të organizuar të pjesëtareve të forcave të sigurisë dhe ekipeve të zjarrfikësve.

Kryetarja e komunës së Tetovës, Teuta Arifi është shprehur kundër masave të reja të vendosura nga Qeveria me të cilin qytetarët e Tetovës, obligohen të përdorin maska sapo të dalin nga shtëpia, me ç`rast ka bërë të ditur se shtab i krizës, nga ky qytet do të kërkojë nga Qeveria që mbajtja e maskave të jetë e obligueshme vetëm në ambientet e mbyllura.

Duhet theksuar se është hera e parë nga shpërthimi i pandemisë së koronavirusit që vendoset si masë mbajtja e detyrueshme e maskave dhe dorezave.

Për Ilir Lumën, mjek, është e pakuptimtë që Tetova të vendoset në rrafsh të njëjtë me Kumanovën përderisa numri i të infektuarve në Tetovë është shumë herë më i ulët dhe nuk ka tendencë të rritjes drastike të lakores ashtu siç është në Kumanovë.

“Të vihet një qytet ku nuk ka indicje, kjo është në kundërshtim me të drejtat dhe liritë individuale. Kështu që unë këto masa i shoh më shumë si tendencë e një provenience politike për të grumbulluar poenë politik sesa do të ishin në funksion të mbrojtjes së shëndetit të qytetarëve”, thotë për Radion Evropa e Lirë, Luma.

Në qytetin e Kumanovës janë regjistruar 338 raste me koronavirus përderisa në Tetovë me këtë virus janë të prekur 57.

Ndryshe, në Maqedoninë e Veriut janë realizuar 12 mijë e 133 testime për praninë e virusit COVID-19 , prej të cilëve deri të hënën si pozitiv kanë rezultuar 1 mijë e 225./REL/

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme