“Qëllimi është të ruhet pamja e lashtë duke mirëmbajtur gurin travertin si karakteristikë e lashtë e Çarshisë së Vjetër të Shkupit”, tha Visar Ganiu
Kryetari i Komunës së Çairit, Visar Ganiu, në lidhje me punimet në Çarshinë e Vjetër të Shkupit, që shkaktuan reagime në opionin publik tha se bëhet fjalë për punime në kuadër të projektit “Promovimi i Turizmit në Çarshinë e Vjetër të Shkupit”, projekt i cili ka marrë aprovimin e të gjitha institucioneve kompetente.
Ganiu, nëpërmjet një konference për media, në Çarshinë e Vjetër të Shkupit, bëri vlerësime rreth projektit që është duke u zhvilluar në çarshi ku u përgjigj në pyetjet e gazetarëve.
Sipas tij, projekti parasheh, në mesin e shumë aktiviteteve edhe sanimin e gurit të dëmtuar travertin.
“Duke i parë reagimet e opinionit publik rreth asaj se çfarë po punohet për momentin në Çarshinë e Vjetër të Shkupit, e ndjej obligim të sqaroj tashmë për disatën herë se bëhet fjalë për punime në suaza të projektit ‘Promovimi i turizmit në Çarshinë e Vjetër të Shkupit'”, tha Ganiu.
Ai njoftoi se financues i projektit është Banka Botërore përmes grantit me vlerë prej afër 570.000 eurosh.
Ganiu bëri të ditur se projekti ka filluar në dhjetor të vitit 2019, duke pohuar se në kontinuitet e kanë informuar opinionin për dinamikën dhe fazat e realizimit.
“Ky projekt i sanimit përfshin vendosjen e gurit me të njëjtin material si ai i mëparshmi – travertin në sipërfaqe prej 1.800 metra katrorë, i aprovuar nga raporti i analizës laboratorike për plotësimin e kushteve”, sqaroi i pari i Komunës së Çairit.
Mes tjerash, ai potencoi se projekti përfshin edhe restaurimin e vitrinave të 43 dyqaneve në çarshi sipas tipareve të lashta, vendosjen e mbishkrimeve, vendosjen e tendave, virtualizimin e çarshisë, sinjalizimin si dhe organizimin e konferencës ndërkombëtare të qyteteve me Çarshi të vjetra.
– “Qëllimi është të ruhet pamja e lashtë e Çarshisë së Vjetër të Shkupit”
“Nevoja e zbatimit të këtij projekti është pasojë e dëmtimit të rrugëve të Çarshisë nga disa faktorë; ndikimet atmosferike, qarkullimi i veturave për mallra, intervenimet e ndryshme joadekuate ndër vite, pasi kthimi i tyre në gjendje të mëparshme është bërë në mënyrë joadekuate me beton dhe material tjetër”, u shpreh ai duke shtuar se gurët që hiqen deponohen për t’u përdorur më vonë në Çarshi.
Ganiu gjithashtu veçoi edhe investimet në infrastrukturën e re për ujëra atmosferike, të energjisë elektrike dhe ndriçimit rrugor.
“Qëllimi është të ruhet pamja e lashtë duke mirëmbajtur gurin travertin si karakteristikë e lashtë e Çarshisë së Vjetër të Shkupit, por dhe të krijojmë kushte të mira për afaristët dhe në veçanti qasje më të lirë dhe më komode për vizitorët dhe turistët e huaj”, vuri në dukje Ganiu duke theksuar se qëllimi nuk është tjetërsimi i karakterit të lashtë dhe autentik të Çarshisë së Vjetër.
Duke iu përgjigjur pyetjeve të gazetarëve, Ganiu rikujtoi se guri travertin është vendosur në vitin 1970, ndërsa hodhi poshtë pretendimet se janë duke i shitur kalldrëmat qindravjeçare. Ai pohoi se është zhvilluar një anketë për nevojat e Çarshisë, ku qytetarët kanë kërkuar restaurimin e rrugës ku zhvillohet projekti, rezultatet e të cilit mund të gjenden në komunë.
Komiteti Ekzekutiv i FFK-së miratoi projekte të rëndësishme ...
Suplementet që nuk duhet t’i merrni kurrë së bashku, sipas e...
Xheneta ia shqyen tekstin e këngës që Gjesti shkroi gjatë që...
Biden do të marrë pjesë në inaugurimin e presidentit të zgje...
Spektakël në ndeshjet e sotme në Ligën e Kampionëve, shënohe...
Shtohen infeksionet respiratore në Shqipëri, Pediatria e mbu...