Studentët në Serbi që nga fundi i nëntorit kanë shprehur masivisht pakënaqësinë e tyre për situatën socio-politike në vend, duke bllokuar fakultetet e tyre. Aktualisht janë të bllokuara mbi 40 fakultete – të cilat funksionojnë brenda universiteteve të Beogradit, Novi Sadit, Nishit dhe Kragujevcit.
“Studentët nuk heshtin më”, është një nga mesazhet që po përcjellin ata.
Studentët kërkojnë të përcaktohet përgjegjësia dhe të ndiqen penalisht ata që janë fajtorë për aksidentin në stacionin hekurudhor në Novi Sad, ku ra një strehë dhe mbyti 15 persona, si dhe të publikohet e gjithë dokumentacioni për rikonstruksionin e atij stacioni. Një nga kërkesat është gjithashtu gjetja e autorëve të sulmeve ndaj studentëve dhe profesorëve gjatë protestave ku ata morën pjesë në periudhën e mëparshme.
Bllokadat e fakulteteve – si një formë proteste e studentëve – mbështeten kryesisht edhe nga profesorët e tyre. Bllokadat në praktikë nënkuptojnë që fakultetet janë të mbyllura, përveç për studentët dhe punonjësit.
Stevan Zdravkoviq, student i vitit të fundit në Fakultetin e Shkencave Politike në Beograd, ka thënë për Radio Evropa e Lirë se fakti që do të humbasë një afat provimesh ose një semestër “nuk është asgjë krahasuar me një jetë të humbur”.
Nga ana tjetër, presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, dhe funksionarë të lartë të Qeverisë së Serbisë i kanë akuzuar këta studentë se me protestat dhe bllokadat po përpiqen të “rrëzojnë pushtetin”, duke i quajtur “mercenarë të huaj”, “dhunues”, “rrugaçë”.
Një reagim i tillë ndaj kërkesave të tyre vetëm sa i ka revoltuar më shumë studentët, duke bërë që çdo ditë e më shumë fakultete të hyjnë në bllokadë.
Ata thanë: “Motivi ynë nuk është paraja”.
“Pas revoltës sonë qëndron drejtësia, qëndron të menduarit e saktë, njerëzimi, solidariteti”, tha për REL-in një studente e Fakultetit të Shkencave Teknike në Novi Sad, e cila nuk dëshiroi të zbulohet emri i saj.
Disa ditë më vonë, presidenti Vuçiq “u dorëzua” përballë presionit të studentëve dhe në një adresim publik më 11 dhjetor deklaroi se kishte “lajme të mira”, duke thënë se i gjithë dokumentacioni në lidhje me rikonstruksionin e stacionit hekurudhor në Novi Sad do të publikohej. Dhe, një ditë më vonë, më 12 dhjetor, Qeveria e Serbisë mori vendim për këtë.
Vuçiq, në adresimin e tij, ndërsa jashtë ndërtesës së Presidencës protestonte një grup studentësh duke bërë zhurmë, tha se do të marrë edhe një vendim për faljen, nëse studentët e arrestuar do të dënoheshin për “dhunë”.
Si filloi gjithçka?
Studentët e Fakultetit të Arteve Dramatike në Beograd ishin të parët që nisën një bllokadë më 26 nëntor, duke kërkuar nga autoritetet që të ndjekin penalisht personat që disa ditë më parë kishin sulmuar kolegët e tyre gjatë aksionit “Ndalo, Serbi!”, i cili shprehte solidaritet me viktimat dhe të plagosurit në aksidentin që ndodhi në Novi Sad.
Gjatë këtij aksioni, disa shoferë, automjetet e të cilëve ishin ndaluar përkohësisht, dolën nga makinat dhe u përleshën me të pranishmit.
Studentët kërkuan me ngulm që policia të konfirmonte identitetet e disa prej sulmuesve, për të cilët në publik qarkullonin spekulime se ishin funksionarë të Partisë Progresive Serbe në pushtet.
Ky veprim nga studentët e Fakultetit të Arteve Dramatike u bë një “shkëndijë” për solidaritet të ndërsjellë, dhe në ditët në vijim nisën bllokadat në Fakultetin Filologjik dhe Filozofik, Fakultetin e Shkencave Politike, Fakultetin e Arkitekturës, Fakultetin e Shkencave Natyrore dhe Matematikës, Fakultetin Ekonomik, Fakultetin e Kimisë, Fakultetin e Biologjisë, Fakultetin e Gjeografisë, Fakultetin Farmaceutik, Fakultetin Juridik, Fakultetin e Pyjeve, si dhe në dhjetëra fakultete të tjera të universiteteve në Beograd, Kragujevc, Nish dhe Novi Sad.
Kush i mbështet bllokadat?
Universiteti i Beogradit njoftoi në fillim të kësaj jave se mbështet studentët, të cilët i kanë bllokuar fakultetet në kryeqytetin e Serbisë, në “kërkesat e tyre fillestare, të cilat i paraqesin si qytetarë të vetëdijshëm dhe akademikë”.
“Në deklaratat dhe njoftimet e deritashme për publikun, është i qartë shqetësimi i studentëve për gjendjen e shoqërisë, si dhe për kushtet e veprimit profesional në fushat për të cilat ne i edukojmë”, thuhet në deklaratë.
Gjithashtu, theksohet se Universiteti “del në mbrojtje të studentëve dhe kolegëve që janë përballur me fyerje të papranueshme mediatike, sulme fizike dhe kërcënime, si dhe me një retorikë të palejueshme kundër komunitetit akademik”.
Sindikatat e pavarura të punonjësve të arsimit në Serbi, gjithashtu i kanë mbështetur studentët në bllokadë dhe kanë kërkuar dorëheqjen e ministres së Arsimit, Sllavica Gjukiq-Dejanoviq, si dhe “ndalimin e të gjitha formave të represionit shtetëror kundër qytetarëve që ushtrojnë të drejtat e tyre kushtetuese dhe ligjore për të shprehur në mënyrë paqësore qëndrimet e tyre mbi fenomenet dhe proceset shoqërore”.
Kjo sindikatë ka njoftuar se të premten, më 13 dhjetor, do ta ndalë punën nga ora 11:45 deri në 12:45 në të gjitha shkollat në Serbi.
“Forumi i Gjimnazeve të Beogradit”, me më shumë se 500 mësues, ka shprehur gjithashtu “mbështetje absolute” për studentët.
Mbështetja po vjen edhe nga profesorë në mënyrë individuale dhe nga figura publike.
Gjithashtu, studentët dhe profesorët e Fakultetit të Arteve Dramatike në Zveçan, në veri të Kosovës, kanë mbështetur bllokadat e kolegëve të tyre, duke theksuar se e dënojnë dhunën dhe se “është e papranueshme të heshtet” në këtë moment. Ky fakultet funksionon brenda Universitetit të Mitrovicës së Veriut dhe është pjesë e sistemit të Serbisë.
Nga ana tjetër, Kolegji i Rektoratit i këtij Universiteti më herët ka ofruar mbështetje për presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq, duke deklaruar se komuniteti akademik nuk duhet të politizohet. Megjithatë, disa profesorë janë distancuar nga kjo deklaratë dhe kanë ofruar mbështetje publike për bllokadat e studentëve.
Kush nuk i mbështet bllokadat?
Bllokadat e studentëve janë kritikuar nga Parlamenti Studentor i Universitetit të Beogradit, i cili në një deklaratë më 3 dhjetor akuzoi studentët që organizojnë bllokadat për “abuzim me institucionet e arsimit të lartë”.
Gjithashtu, përfaqësuesit e Qeverisë i kanë dënuar protestat dhe bllokadat.
Ministrja e Arsimit, Sllavica Gjukiq Dejanoviq, deklaroi se “politika dhe aktivitetet ideologjike nuk kanë vend në universitet”.
“Zhurmën po e bëjnë ata që, në mungesë argumentesh, shprehin kërkesa që nuk lidhen me çështje studentore, por kanë një nuancë politike”, tha ajo.
Ndërkohë, paralelisht me bllokadat studentore, qindra qytetarë marrin pjesë pothuajse çdo ditë në aksionin “Ndalo, Serbi!”, ku qëndrojnë në heshtje në kryqëzime, rrugë, sheshe, dhe kampuse studentore, duke kërkuar përmbushjen e kërkesave të protestës.
Historia e protestave studentore në Serbi
Në Serbi ekziston një traditë e protestave studentore, veçanërisht gjatë viteve ’90, me arsye dhe kërkesa të ndryshme – nga luftërat, sanksionet, deri te mashtrimet zgjedhore.
Në mars të vitit 1991, protestat studentore ishin një reagim ndaj qëndrimit të shtetit gjatë demonstratave të mëdha kundër regjimit të atëhershëm të Sllobodan Millosheviqit.
Rezultati i këtyre protestave ishte shkarkimi i drejtuesve të Televizionit të Beogradit, ministrit të policisë Radmilo Bogdanoviq, lirimi i liderit opozitar Vuk Drashkoviq dhe shkarkimi i drejtorit të Radio-Televizionit të Beogradit, Dushan Miteviq.
Në vitin 1992, protestat studentore u rikthyen ndërsa Serbia përballej me sanksione të mëdha ndërkombëtare për shkak të përfshirjes në luftën në Bosnjë e Hercegovinë.
Studentët atëherë kërkuan dorëheqjen e Sllobodan Milosheviqit, shpërndarjen e Kuvendit të Serbisë, shpalljen e zgjedhjeve dhe krijimin e një qeverie koalicioni midis pushtetit dhe opozitës.
Edhe pse këto protesta patën mbështetje të madhe nga profesorët, figurat publike dhe qytetarët e zakonshëm, ato nuk arritën rezultate.
Kur regjimi i Sllobodan Millosheviqit në vitin 1996 tentoi të mohojë fitoren e koalicionit opozitar “Së bashku” nëpërmjet falsifikimit të procesverbaleve të zgjedhjeve lokale, studentët iu bashkuan protestave që zgjatën tre muaj. Shumica e fakulteteve të Beogradit nuk funksiononin, ndërsa studentët dilnin në marshime me bilbila, organizonin performanca të ndryshme dhe bënin zhurmë duke goditur tenxhere.
Në vitin 2017, studentët e mbledhur në një organizatë joformale “Kundër diktaturës” nisën protesta për shkak të pakënaqësisë me rezultatet e zgjedhjeve presidenciale, në të cilat fitoi Aleksandar Vuçiq. Ata kërkuan shkarkimin e drejtuesve të Radio-Televizionit të Serbisë, anëtarëve të Rregullatorit për Mediat Elektronike dhe verifikimin e listës zgjedhore. Asnjë nga këto kërkesa nuk u plotësua.
Edhe në dhjetor të vitit 2023, studentët bllokuan trafikun në qendër të Beogradit duke protestuar për akuzat për manipulime zgjedhore dhe duke kërkuar nga ministria përkatëse t’i hapë listat zgjedhore. /REL/
Qeveria ndan nga 100 euro për pensionistë e fëmijë
Kush janë 16 banorët e parë të Big Brother VIP Albania 4
Drenusha-Sarës: Nuk ke ndjenja për Drilonin
“90% e prindërve kërkuan mbylljen e aksesit në TikTok”, Rama...
Policia shqiptoi mbi 1 mijë e 200 gjoba gjatë 24 orëve të fu...
I dyshuari për sulmin në Gjermani përballet me 5 akuza për v...