Përfaqësuesit opozitarë nga lista “Serbia kundër dhunës” dhe protestuesit po tentojnë të hyjnë në Kuvendin serb në Beograd, në protestën e shtatë përmes së cilës po kërkohet anulimi i zgjedhjeve në Serbi.
Para ndërtesës së Kuvend gjenden mijëra qytetarë. Dyert e Kuvendit janë të mbyllura, ndërkaq policia gjendet brenda objektit.
Në hyrjen kryesore të Kuvendit, një zyrtar policor u tha protestuesve se “hyrja me forcë është vepër penale”.
Protestuesit kanë thyer xhamat që gjenden në dyert e Kuvendit, por edhe dritaret.
Protesta nisi para selisë së Komisionit Republikan Zgjedhor, ku mijëra qytetarë u mblodhën me ftesë të koalicionit opozitar, “Serbia kundër dhunës”, që nuk njeh rezultatet e zgjedhjeve të 17 dhjetorit, pasi sipas opozitës, Partia Progresive Serbe (SNS) në pushtet ka fituar zgjedhjet përmes mashtrimeve zgjedhore.
Kërkesa për anulimin e zgjedhjeve në të gjitha nivelet po kërkohet për shkak të, siç është thënë, “pengimit të vullnetit të qytetarëve”.
“Këto zgjedhje po anulohen”, tha Marinika Tepiq, udhëheqëse e listës “Serbia kundër dhunës”, e cila gjendet në grevë urie që nga 18 dhjetori, në shenjë proteste me rezultatet zgjedhore.
Disa politikanë opozitarë gjatë kësaj jave iu bashkuan asaj në grevë të urisë, duke kërkuar përsëritjen e zgjedhjeve.
“Ne duhet të rregullojmë ligjet për zgjedhjet”, tha Sërxhan Milivojeviq nga Partia Demokratike, i cili mori pjesë në protestë.
“Ne kemi fituar në Beograd, Beogradi është qytet i lirë”, shtoi ai.
Protestuesit mbajtën pankarta, flamuj të Serbisë dhe të Bashkimit Evropian, dhe brohoritën “hajna”.
Udhëheqja shtetërore dhe SNS-ja kanë mohuar kritikat nga vëzhguesit vendorë dhe ndërkombëtarë dhe nga zyrtarët, si dhe kritikat e bëra nga lista “Serbia kundër dhunës”.
Komisioni Republikan Zgjedhor më 24 dhjetor njoftojë se ministritë e linjës kanë kontrolluar listën zgjedhore dhe kanë ardhur në përfundim se pretendimet e listës “Serbia kundër dhunës” se numri i votuesve me të drejtë vote në zgjedhjet lokale në Beograd ishte rritur në mënyrë artificiale për të ndikuar në rezultat zgjedhor, “nuk ishin të vërteta”.
Ndërkaq, presidenti serb, Aleksandar Vuçiq, tha të dielën se vetëm institucionet shtetërore mund të vendosin nëse zgjedhjet duhet të përsëriten, duke deklaruar se zgjedhjet u mbajtën në atmosferë demokratike “dhe ishin zgjedhjet më paqësore në historinë moderne”.
Misioni vëzhgues i Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë tha më 18 dhjetor se zgjedhjet u përshkruan me parregullsi serioze, keqpërdorim të fondeve shtetërore, me fushatë negative dhe përhapje të frikës.
Ndërkaq, eurodeputetët kanë kërkuar hetim të pavarur për të gjitha parregullsitë në zgjedhjet parlamentare, lokale dhe krahinore të mbajtura më 17 dhjetor.
Shtetet e Bashkuara po ashtu u kanë bërë thirrje autoriteteve në Serbi që të hetojnë pretendimet për parregullsi të bëra nga vëzhguesit ndërkombëtarë.
SNS-ja ka shpallur fitoren në të gjitha nivelet./rel/
Dhimbja që “udhëton” nga shpatulla në bërryl shkaktohet zako...
Ismajli gati për hapin e madh në karrierë, ai refuzon rinovi...
Mbappe: Bilbao më bëri mirë, mund të bëj shumë më tepër
“Duhet të luftojmë”, Zelensky tregon çfarë i duhet Ukrainës ...
Të paktën 28 të vrarë nga sulmet në Gaza
Kurti mërgatës: Paramendojeni çfarë bëjmë 37 mijë votat ju m...