Protestë për “Kumanovën”, shqiptarët kërkojnë drejtësi nga Vjena

13:47 | 13 Nëntor 2017
Arbresh.info

Një grup shqiptarësh në Austri protestuan në rrugët e kryeqytetit të saj, Vjenë, kundër dënimit të grupit të Kumanovës nga drejtësia maqedonase.

Protestuesit mbanin në duar pankarta me kërkesën për lirimin e të dënuarve, ndërsa fajësonin Maqedoninë si shtet shovinist.

Protesta e tyre erdhi 10 ditë pasi Gjykata Themelore e Shkupit i dënoi me 746 vjet burg pjesëtarët e grupit të Kumanovës të akuzuar për terrorizëm për ngjarjet e 9 dhe 10 majit në Lagjen e Trimave dy vjet më parë.

Të premten, qeveria e Kosovës njoftoi se do të japë 219.000 euro për mbulimin e shpenzimeve të familjarëve të të dënuarve. Secilës familje, nga sa shpjegoi kryeministri Ramush Haradinaj do t’i jepen 10.000 euro nga buxheti i Kosovës.

Një pjesë e mirë e 37 të dënuarve në Shkup janë nga Kosova dhe ish-anëtarë të UÇK-së. Në Kosovë pati protesta të shumta ndaj vendimit të gjykatës maqedonase dhe vetë Haradinaj e thirri për konsultime ambasadorin e saj në Shkup. Një hetim ndërkombëtar është i nevojshëm, sipas tij, për të ndihmuar të hidhet dritë sa më mirë mbi situatën.

Botuesja e gazetës “Koha Ditore”, Flaka Surroi reagoi ashpër ndaj këtij vendimi, duke thënë se ndarja e parave nga buxheti i shtetit për të afërmit e të dënuarve për vepra penale në një shtet tjetër nuk ka asnjë kuptim.

“Në Kumanovë ndodhi një incident i rëndë ku vdiqën 18 vetë. Nuk e morëm vesh se ç’donin atje kosovarë të armatosur”, shkroi ajo në Facebook.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme