Në kryeqytetin historik të Malit të Zi, në Cetinë, të enjten, një grup qytetarësh protestuan para selisë së parlamentit, kundër ardhjes së kryeparlamentarit Adrija Mandiç për të marrë pjesë në hapjen e seancës pranverore, e cila tradicionalisht mbahet në këtë qytet.
“Ne u mblodhëm këtu në Cetinën liridashëse për të protestuar kundër Andrija Mandiçit. Ne e dimë se me kë është dhe kë mbështet, ky popull nuk e meriton këtë,”, tha Radovan Peroviç, njëri nga organizatorët e protestës.
Peroviç tha se kryetari i parlamentit Mandiç mohon komunitetet tjera që jetojnë në Malin e Zi.
“Ata prishën të gjithë historinë. Mandiç është kundër Malit të Zi të pavarur. Ai mohon malazezët, kroatët, shqiptarët, myslimanët. Idhujt e tij janë Karaxhiç dhe Mladiç, kriminelë lufte, me në krye Sheshelin”, tha ai.
Protestuesit iu bënë thirrje “partive qytetare të tregojnë se janë antifashistë dhe të votojnë për shkarkimin e Mandiçit”.
Atambanin pankarta me mbishkrimet kundër kryeparlamentarit dhe politikës pro-serbe dhe pro-ruse që ai dhe ithtarët e tij po e ndjekin në Malin e Zi.
Në Cetinë është shtuar prania e policisë dhe pjesë e qytetit u bllokua.
Për shkak të pranisë së madhe të forcave policore ka reaguar edhe kryetari i komunës së Cetinës, Nikolla Gjurashkoviq, i cili rrethimin policor e cilësoi si skandaloze ndaj një proteste paqësore të qytetarëve.
Sipas ligjit dhe traditës, çdo mbledhje e parë e seancës pranverore nis në kryeqytetin historik të Malit të Zi, në Cetinë, për të vazhduar seanca në Podgoricë.
Kryetari i parlamentit, Andrija Mandiç ditë më parë priti përfaqësuesin serb të Bosnjës dhe Hercegovinës, Milorad Dodik në Podgoricë duke shkaktuar reagime të shumta në Malin e Zi.
Kjo ishte një nga arsyet që nxiti partitë opozitare të ndërmerrnin nismën për shkarkimin e Mandiçit nga kreu i parlamentit, duke gjykuar se ai “abuzoi rëndë për interesa partiake, nacionaliste dhe antievropiane”.
Mbledhja e parë e rregullt e seancës pranverore të parlamentit në Cetinë u ndërprerë për disa minuta, pas një konflikti verbal dhe gati fizik mes përfaqësuesit të “Partisë Demokratike të Socialistëve” në opozitë, Oskar Huter dhe koalicionit pro-serb dhe pro-rus “Për Ardhmërinë e Malit të Zi” të Andrija Mandiç.
Megjithatë, parlamenti i Malit të Zi në seancën e sotme miratoi marrëveshjen ndërmjet qeverisë malazeze dhe qeverisë së Shqipërisë për ndërtimin e një ure ndërshtetërore mbi lumin Buna në Shën Kollë, e cila do të lidh bregdetin e Ulqinit me atë të Velipojës në Shqipëri.
Marrëveshja u nënshkrua në shkurt të vitit 2023 nga kryeministrat e Malit të Zi dhe atij shqiptar, Dritan Abazoviç dhe Edi Rama.
Po ashtu u miratua edhe marrëveshja ndërkombëtare për ndërtimin e urës ndërshtetërore mbi lumin Tara , e cila do të ndërtohet në kufirin verior të Malit të Zi me Bosnjën dhe Hercegovinën./voa
Biden zhvlerësoi urdhrin e Gjykatës Ndërkombëtare për arrest...
Vrasja te lokali “Kobra City”, Babai i viktimës: Më ka ik fë...
Vdes rreshteri i Policisë së Kosovës
Akuzohet për vrasje, “Kobra”: Nuk ndihem fajtor
Me pranga në duar e me 4 avokatë në mbrojtje, “Kobra...
Dita e Alfabetit Shqip, Begaj: Gjuha e shqiponjave do të mbi...