Një numër i vogël i qytetarëve sot protestuan në afërsi të qendrës tregtare Çairçanja kundër bastoreve dhe kazinove të shumta që gjenden në Komunën e Çairit.
Protestuesit kërkuan që kazinot dhe bastoret të dislokohen dhe të largohen nga ambientet ku frekuentojnë të rinjtë dhe fëmijët.
“Më vjen keq që njerëzit e rritur e më të moshuar konsiderojnë se ajo është punë dhe i angazhojnë ndoshta edhe fëmijët. Kërkesa jonë kryesore është të ndalohen, ata të cilët janë kompetent dhe njerëzit që e dinë këtë punë dhe pushteti që këto ti largojnë nga mesi i qytetarëve sidomos ato që janë afër shkollave dhe fëmijëve. Ne e dimë se Çairi është komunë e ngushtë, këtu 25 bastore e kazino është punë e madhe”, tha një protestues.
Protesta para disa ditëve u mbajtën edhe në Tetovë, ku u kërkuar që kazinot të mos hapen në afërsi të institucioneve arsimore dhe qendrës së qytetit.