Prokuroria pa asnjë masë për organizatorët e dhunës në Kuvend

16:19 | 8 Maj 2017
Arbresh.info

Nëntë persona ballafaqohen me propozim aktakuzë nga Prokuroria Publike për dhunën në Kuvendin e Maqedonisë.

Të gjithë do të përgjigjen për veprën penale “Pjesëmarrje në turmë që do të parandalojë personin zyrtar në kryerjen e detyrës zyrtare.” Sipas Kodit Penal, për këtë mund të dënohen me burgim prej tre muaj deri në tre vjet. Aktualisht vetëm dy persona mbeten në paraburgim, tre janë në arrest shtëpiak dhe të tjerët do të jenë nën masa kujdesi, përkatësisht kanë iu është marrë pasaporta. Prokuroria ka mohuar sërish se ka kërkuar nga Ministria e Brendshme të kryejë rikualifikim të veprave.

“Në pajtim me ligjin, kualifikimin juridik të veprës së kryer penale e jep prokurori publik, i cili paraprakisht udhëhiqet nga dëshmitë e mbledhura deri në atë moment. Kjo do të thotë se, nëse gjenden dëshmi të tjera që tregojnë se një person ka kryer një vepër tjetër penale, prokurori publik gjatë tërë procedurës mund të kryejë rikualifikim ose personin ta ndjekë edhe për vepra të tjera penale”, thanë nga Prokuroria Themelore.

Prokuroria hodhi poshtë edhe tre kallëzime penale nga MPB-ja, dy për shkak të identifikimit të gabuar të personave, si dhe një shkaku se nuk ka pasur dëshmi. Megjithatë, nga prokuroria e Marko Zvërlevskit, nuk ka përgjigje nëse penalisht ndiqen edhe organizatorët e protestës, e cila përfundoi me epilog të përgjakshëm. Tashmë njëmbëdhjetë ditë heshtje edhe për personat që i hapën dyert e Kuvendit për sulmuesit.

“Ka deputetë të cilët janë të përfshirë në hapjen e dyerve të Kuvendit të Maqedonisë. Të paktën tre, si dhe plus tre të cilët kanë ndihmuar, edhe disa policë të sigurisë së brendshme që kanë ndihmuar në pjesën e kësaj ngjarjeje”, deklaroi Oliver Spasovski, LSDM.

Nga Gjykata Penale në Shkup informojnë se propozim akuza tashmë i është dorëzuar një gjykatësi. Për ngjarjet në Kuvend, Ministria e Brendshme dhe Prokuroria, për vepra të ndryshme deri më tani kanë akuzuar 25 persona. Nga Komiteti i Helsinkit numëruan 28 vepra penale që i kanë kryer një pjesë e protestuesve, por deri më tani Prokuroria vepron për vetëm tre nga to. /AlsatM/

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme