Prokuroria e Shtetit po vazhdon që ta mbajë sekret laboratorin dhe shtetin ku janë dërguar mostrat e zarfeve me votat nga Serbia për ekzaminim. Në Prokurori vetëm deklarojnë se mostrat janë dërguar në një prej shteteve të Evropës, por nuk po tregojnë emrin e vendit.
Prokuroria e Kosovës po i vazhdon hetimet në lidhje me zarfet nga Serbia, pas raportimeve se më shumë se 20 zyrtarë të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve kishin reaksione alergjike pas hapjes së këtyre zarfeve.
Artan Grantolli, nga Prokuroria e Shtetit, para disa ditësh kishte thënë për media se mostrat për analiza laboratorike janë dërguar jashtë Kosovës, por nuk kishte treguar se në cilin vend.
“Është gjetur një laborator në njërin nga shtetet e Evropës, ku edhe janë dërguar mostrat për analiza. Sapo t’i marrim rezultatet ne do t’i bëjmë publike për opinionin”, kishte thënë Grantolli.
Gazeta Express ka dërguar pyetje që disa ditë në Prokurori për të marrë informacione rreth laboratorit dhe shtetit në të cilin janë dërguar këto mostra për ekzaminim, por në këtë institucion nuk kanë kthyer përgjigje.
Ndryshe, të dielën e 13 tetorit teksa po hapnin dhe verifikonin votat e ardhura nga Serbia në zarfet e mbyllura, 20 zyrtarë të KQZ-së që u ankuan për gjendjen e tyre shëndetësore. 12 prej tyre përfunduan të shtrirë në spital.
Mjekët thanë se ata kishin reaksione të ndryshme, si vjellje, skuqje në fytyrë, kruarje e tjera.
Lidhur me këtë rast, autoritetet serbe kishin deklaruar se kjo është përpjekje për manipulim.
“Po përgatitet manipulimi i votave të qytetarëve serbë, për t’u hapur rrugë njerëzve të (kryetarit të Vetëvendosjes, Albin) Kurtit në Parlament”, thuhej në reagimin e drejtorit të Zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Marko Gjuriq.
Ndryshe, zgjedhjet e 6 tetorit u zhvilluan në 38 komuna në 895 qendra të votimit me 2,547 vendvotime. Nga 25 subjekte politike garuan 1,067 kandidatë për deputetë. Në zgjedhje morën pjesë 44 për qind e qytetarëve me të drejtë vote, derisa 29 persona u arrestuan për shkelje gjatë procesit zgjedhor.
Bazuar në rezultatin e deritashëm të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Lëvizja Vetëvendosje del të jetë fituese e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare të 6 tetorit. Pas VV-së, me numër më të madh të votave renditen Lidhja Demokratike e Kosovës dhe Partia Demokratike e Kosovës.
Zgjedhjet e parakohshme parlamentare erdhën pas dorëheqjes së Ramush Haradinajt nga pozita e kryeministrit të Kosovës, pas ftesës nga Gjykata Speciale në Hagë për intervistim.
Presidenti i Kosovës, pas shpërbërjes së Kuvendit në gusht, shpalli zgjedhjet për datën 6 tetor.
Dhimbja që “udhëton” nga shpatulla në bërryl shkaktohet zako...
Ismajli gati për hapin e madh në karrierë, ai refuzon rinovi...
Mbappe: Bilbao më bëri mirë, mund të bëj shumë më tepër
“Duhet të luftojmë”, Zelensky tregon çfarë i duhet Ukrainës ...
Të paktën 28 të vrarë nga sulmet në Gaza
Kurti mërgatës: Paramendojeni çfarë bëjmë 37 mijë votat ju m...