Mali i Zi Demokratik, një parti pjesë e shumicës së mëparshme qeverisëse në Mal të Zi, kërkoi mbajtjen e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare.
Këtë kërkesë kjo parti e bëri gjatë një proteste më 9 shkurt në Podgoricë.
Protesta e së mërkurës, me sloganin “Mbrojtja e vullnetit elektoral të qytetarëve”, u drejtua nga zyrtarët e Demokratëve. Protesta u mbështet edhe nga deputetët dhe zyrtarët e Frontit Demokratik pro-serb.
Ata po ashtu shprehën pakënaqësi për formimin e mundshëm të një qeverie të pakicës, që është propozuar nga ish-partneri i tyre politik, Dritan Abazoviq, që është kryetar i Lëvizjes Qytetare URA.
Demokratët, Fronti Demokratik dhe URA kishin formuar koalicionin qeverisës pas zgjedhjeve të mbajtura më 2020.
Në protestën e 9 shkurtit morën pjesë disa mijëra qytetarë dhe aktivistë të subjekteve politike, të cilët mbajtën flamuj shtetërorë dhe mbishkrime përmes së cilave u bëhej thirrje qytetarëve që t’i rezistojnë “vjedhjes së vullnetit elektoral”.
“Njerëz, përgatituni për zgjedhje. Oferta jonë është e qartë, ne jemi demokratë dhe evropianë dhe ne ofrojmë një zgjedhje evropiane. Le t’ia kthejmë mandatin popullit dhe ta lëmë popullin të vendosë se cila do të jetë e ardhmja”, tha kryetari i Demokratëve, Aleksa Beçiq.
Beçiq më 7 shkurt u shkarkua nga posti i kryetarit të Kuvendit, pasi për largimin e tij nga kjo pozitë votuan 43 deputetë të Kuvendit.
Ai deklaroi se një qeveri e re e mundshme varet nga Partia Demokratike e Socialistëve (DPS) e presidentit të Malit të Zi, Millo Gjukanoviq. Partia e Gjukanoviqit humbi në zgjedhjet e fundit parlamentare të vitit 2020.
“DPS do të bëjë dy të tretat e asaj shumice të re parlamentare, pa DPS-në nuk mund të merret asnjë vendim. Qeveria e re e pakicës do të varet nga vullneti i Gjukanoviqit dhe DPS-së”, tha Beçiq.
Beçiq kritikoi kryetarin e URA-s, Abazoviq, duke thënë se ai synon që ta formojë ekzekutivin e ri me mbështetjen e partisë së Gjukanoviqit, parti të cilin Abazoviq e ka akuzuar për korrupsion dhe krim të organizuar.
“Imagjinoni duke zgjedhur gjyqtarë dhe prokurorë bashkë me ata që u thoshin se ishin hajdutë e kriminelë. Askush nuk do të ndiqet penalisht pa lejen e Millo Gjukanoviqit”, tha Beçiq, teksa protestuesit brohorisnin “tradhti”, fjalë drejtuar Dritan Abazoviqit.
Kjo protestë u mbajt në kohën kur Dritan Abazoviq po përpiqet që të arrijë marrëveshje me disa subjekte politike për formimin e një qeverie të pakicës.
Protesta po ashtu ishte për të kundërshtuar shkarkimin e Beçiqit nga posti i kryeparlamentarit. Shkarkimi i tij u iniciua nga URA e Abazoviqit dhe u mbështet nga partitë opozitare.
Shkarkimit të Beçiqit i ka paraprirë rrëzimi i Qeverisë së Zdravko Krivokapiqit, pasi URA inicioi në Kuvend mocionin e mosbesimit ndaj Qeverisë.
Fronti Demokratik pro-serb po kërkon që partitë e shumicës së mëhershme parlamentare të arrijnë një marrëveshje për formimin e një ekzekutivi të ri. Por, kjo parti kundërshton fuqishëm mundësinë që URA e Abazoviqit të arrijë ndonjë marrëveshje për formimin e një qeverie të re me opozitën e udhëhequr nga partia e Gjukanoviqit./REL/
Gjendet armë dhe 50 fishekë në valixhen e një pasagjeri në a...
Vëllaznimi shënon fitore të madhe në udhëtim tek Ylli
Gjendet pa shenja jete një 68-vjeçar në Vlorë, dyshohet se u...
NATO trajnon trupat ushtarake ukrainase në Lituani dhe Polon...
Gjimshiti triumfon ndaj Ismajlit, Atalanta rikthehet në krye...
Elezi: Mbi 58 mijë kërkesa për regjistrim të votuesve jashtë...