Presidenca e BE-së mbështet nisjen e negociatave të anëtarësimit me Maqedoninë

17:41 | 28 Janar 2019
Arbresh.info

Presidenca e Bashkimit Evropian tha se do t’i mbështesë përpjekjet e Maqedonisë për të nisur bisedimet e anëtarësimit në BE, pas arritjes së marrëveshjes me Greqinë për ndryshimin e emrit.

Ministri rumun i Çështjeve Evropiane, George Ciamba, tha se ai do që Maqedonia t’i hapë negociatat me bllokun në qershor, në një takim të ministrave të BE-së.

Rumania mban aktualisht presidencën e bllokut.

Parlamenti i Greqisë, më 25 janar, ka miratuar marrëveshjen me Maqedoninë, ndërsa kjo e fundit e ka ratifikuar atë më herët.

Me këtë marrëveshje, të nënshkruar vitin e kaluar nga kryeministri i Maqedonisë, Zoran Zaev, dhe kryeministri i Greqisë, Alexis Tsipras, Maqedonia do të ndryshojë emrin e saj në Maqedoni të Veriut.

Për gati tri dekada, Greqia i ka kundërshtuar përpjekjet e ish-republikës jugosllave të Maqedonisë për t’u anëtarësuar në BE dhe në NATO, duke thënë se emri i këtij vendi nënkupton ambicie territoriale për një rajon grek që po ashtu quhet Maqedoni.

Ciamba i bëri komentet pas takimit me Bujar Osmanin, zëvendëskryeministër i Maqedonisë, përgjegjës për çështjet evropiane, në Bukuresht. /rel

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme