Prej nesër do të ketë vaj në të gjitha marketet në Maqedoni, çmimi do të jetë deri 150 denarë

12:52 | 20 Prill 2022
S D

Çmimi i vajit për gatim do të jetë prej 2.20 deri 2.40 euro ose maksimumi 2.50 euro dhe ky çmim do të ruhet sidomos pas festave. Do të ketë sasi të mjaftueshme në treg. Qytetarët nuk duhet të frikësohen e as të blejnë më shumë për të grumbulluar stoqe, tha sot drejtori i përgjithshëm i fabrikës “Blagoj Gjorev” në Veles, Goran Lazov.

“Nuk pres rritje çmimesh. Pas festës çmimi do të stabilizohet dhe tregjet do të jenë plot me vaj gatimi. Nuk ka nevojë që qytetarët të grumbullohen, do të ketë vaj mjaftueshëm në treg”, tha Lazov pas takimit me ministrat e Ekonomisë dhe Bujqësisë, Kreshnik Bekteshi dhe Ljupço Nikolovski, të cilët vizituan fabrikën, përcjell Telegrafi Maqedoni.

Sipas Lazov, në Bullgari çmimi i vajit është 180 denarë ose gjashtë leva, ndërsa në Greqi rreth katër euro.

Duke iu përgjigjur pyetjeve të gazetarëve, drejtori theksoi se ka lëndë të parë të mjaftueshme, ndërsa shtoi se prokurimet bëhen vazhdimisht nga Bullgaria.

Lazov shpreson se në bujqësinë e Maqedonisë do të kthehet sërish luledielli.

“Dikur prodhonim rreth 40 mijë tonë luledielli, ndërsa vitin e kaluar kemi blerë më pak se 4 mijë tonë. Kjo është vetëm 10 për qind e asaj që kemi pasur si shtet”, nënvizoi Lazov./Telegrafi/

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme