Pompeo përshëndet ratifikimin e protokollit për Maqedoninë e Veriut

22:39 | 23 Tetor 2019
Arbresh.info

Sekretari amerikan i Shtetit Mike Pompeo përshëndeti miratimin nga Senati të protokollit për pranimin e Maqedonisë së Veriut në Traktatin e NATO-s.

Në një deklaratë, ai tha se kjo nënvizon angazhimin e SHBA për sigurinë transatlantike dhe përbën një hap të rëndësishëm përpara në ecjen e vendit drejt anëtarësimit në NATO.

“Ne mbështesim fuqimisht rrugën e Maqedonisë së Veriut drejt integrimit më të ngushtë me komunitetin Trans-Atlantik,” thuhet në deklaratë.

Senati amerikan miratoi të martën me 91 vota per dhe dy kundër, protokollin për anëtarësimin e Maqedonisë së Veriut në NATO. Protokolli ishte dërguar në senat nga presidenti Donald Trump më 30 prill, pak kohë pasi që dokumenti u nënshkrua nga të gjitha vendet anëtare në NATO-s në Bruksel.

Zoti Pompeo tha se “votimi i së martës riafirmoi përkushtimin e Maqedonisë së Veriut ndaj parimeve demokratike dhe sundimit të ligjit dhe kontributeve për paqen e sigurinë në të gjithë rajonin.”

Procesi po vazhdon tani në kryeqytetet e vendeve anëtare që duhet ta ratifikojnë protokollin sipas procedurave të tyre.
Deri tani, 25 nga 29 vendet anëtare të NATO-s e kanë ratifikuar protokollin./ZeriAmerikes

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme