Pompeo e përfundoi vizitën në Maqedoninë e Veriut, nga Ohri udhëtoi për Athinë

22:00 | 4 Tetor 2019
A. B.

Sekretari shtetëror i SHBA-së Majk Pompeo e përfundoi vizitën njëditore zyrtare në vendin tonë dhe pasdite nga Ohri u nis për në Athinë. Në aeroportin “Shën Apostoll Pali” u përcoll nga zëvendëskryeministri Bujar Osmani dhe ministri i Punëve të Jashtme Nikolla Dimitrov.

Pompeo sot në Ohër kishte takime me presidentin Stevo Pendarovski dhe me kryeministrin Zoran Zaev në të cilat ishte konfirmuar partneriteti strategjik mes të dyja vendeve dhe mbështetja nga SHBA-ja për integrimin e Maqedonisë së Veriut në NATO dhe BE.

Sekretari shtetëror amerikan qëndrimin në Ohër e rrumbullakoi me vizitën në kishën “Shën Mëria Perivlepta”, e cila ishte rinovuar dhe mbrojtur me mjete të siguruara përmes fondit të ambasadorëve dhe nga programet e USAID-it.

Maqedonia e Veriut ishte etapa e katërt e mini turneut evropian të sekretarit shtetëror amerikan. Ai në vendin tonë erdhi nga Mali i Zi, ndërsa paraprakisht ishte për vizitë në Itali dhe Vatikan. Turneu i tij përfundon me vizitën zyrtare në Greqi.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme